ATK-ja sqaron se nuk e ka obligim rregullimin e çmimeve të shitjes

ATK-ja sqaron se nuk e ka obligim rregullimin e çmimeve të shitjes

Ekonomia September 01, 2020 - 15:10

Administrata Tatimore e Kosovës ka sqaruar paqartësitë e krijuara sa i përket çështjes së monitorimit të çmimeve për test të COVID19 nga ana e laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë. Nga ky institucion janë deklaruar sot se ATK-ja nuk e ka obligim që të monitoroj rregullimin e çmimeve të shitjes.

“Lidhur me deklarimet e djeshme në media për çështjen e monitorimit të ngritjes së çmimeve për test të COVID19 nga ana e laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, Administrata Tatimore e Kosovës sqaron se asnjë dispozitë ligjore nuk e obligon dhe nuk i jep të drejtë ATK-së, për të monitoruar procesin e rregullimit të çmimeve të shitjes”, ka bërë të ditur ATK-ja përmes një komunikatë, përcjell Zeri.info.

ATK bën me dije se i vetmi organ, i cili ka bazë ligjore për të monitoruar aplikimin e çmimeve monopoliste, si dhe të zbatimit të konkurrencës së drejt në treg është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

“ATK nuk është institucion i thirrur për të monitoruar çmimet e tregut, ky institucion është organ i autorizuar me ligj për të mbledhur tatimet ashtu siç e kërkon ligji, nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë që zhvillojnë aktivitet ekonomik në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Zëri