Zeka: Marrëveshja e Washingtonit do të përshpejtojë rritjen ekonomike të Kosovës e Ballkanit

Zeka: Marrëveshja e Washingtonit do të përshpejtojë rritjen ekonomike të Kosovës e Ballkanit

Ekonomia September 10, 2020 - 08:52

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka, ka thënë se marrëveshja ekonomike  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar me 4 shtator në Washington, do t’i sjellë përftime Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.

Njëra nga pikat e marrëveshjes është edhe ajo për trafikun hekurudhor Prishtinë-Merdare dhe ajo Nish-Prishtinë.

Zeka në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se shtrirja e trafikut hekurudhor deri në Detin Adriatik, do të ndihmojë që Kosova të shndërrohet në një nyje lidhës me shtetet e Ballkanit, por edhe për rajonin.

“Shtrirja e trafikut hekurudhor deri në një portë në Detin Adriatik, që supozojmë që do të jetë Porti i Durrësit, do të ndihmojë që Kosovë të shndërrohet në një nyje lidhëse me shtetet e Ballkanit, por edhe për rajonin më gjerë, duke bërë të përfitojë më tepër në aspektin ekonomik nga pozita qendrore gjeografike që ka në rajonin  e Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Zeka.

Ai ka thënë se investimi në këto projekte strategjike infrastrukturore do të ketë efekte zingjirore në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi

“Investimi në këto projekte strategjike infrastrukturore do të ketë efekt multiplikativ edhe në hallkat e tjera të zinxhirit ekonomik të Kosovës, por edhe të shteteve, për rreth që do të ndikojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike të Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, është shprehur Zeka.

Përveç aspektit në investimet infrastrukturore, marrëveshja e 4 shtatorit, parasheh edhe sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla e të mesme.

E sipas Zekës, kjo është e rëndësishme që ndërmarrjet të kenë mundësi për qasje në financa, për të investuar edhe në projekte tjera, e të cilat nuk janë specifikuar në marrëveshje.

Ai duke përmendur mundësinë për investime në Brezovicë, ka thënë se Qeveria duhet të përgatitet mirë, që të ofrojë kompani me përvojë në menaxhimin e këtyre qendrave rekreative.

Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor 2019, presidenti Trump e emëroi Richard Grenellin si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.