Koronavirusi mbylli 5 mijë biznese, prodhuesit vendës kërkojnë ndihmën e shtetit

Koronavirusi mbylli 5 mijë biznese, prodhuesit vendës kërkojnë ndihmën e shtetit

Ekonomia September 20, 2020 - 10:19

Rreth pesë mijë biznese janë shuar si pasojë e pandemisë, teksa ky numër fatkeqësisht mund të rritet deri në fund të vitit.

E kjo gjë është shqetësuese për kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahinin. Ai thoë se nga informatat që i ka në terren, procedurat e shuarjes të ndërmarrjeve janë të rënda dhe bizneset kanë hequr dorë nga ajo formë e aplikimit.

“Nga marsi e këndej, sipas vlerësimeve tona dhe marrjes së informatave në terren rreth 5 mijë biznese kanë ndalur aktivitetin e tyre, kanë falimentuar dhe kjo është një shqetësim i madh për gjithë shtetin tonë. Besoj që ky numër do të jetë edhe më i madh deri në fund të vitit dhe procedurat e shuarjes të ndërmarrjeve janë të rënda dhe bizneset kanë hequr dorë nga ajo formë e aplikimit, pra këto janë informata të tilla dhe janë të sakta”, tha ai.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shahini thotë se ekonomia kosovare ka pësuar rënie nga investimet e huaja dhe ka rënë interesi i bizneseve vendore për investime të reja.

“Ekonomia e vendit po ballafaqohet me një rënie të rëndë, qoftë nga investimet e huaja, qoftë nga rënia e interesit të bizneseve vendore për investime të reja. Kanë rënë edhe investimet e diasporës, ku kemi pasur vetëm 10 për qind të asaj që kemi pasur vitin e kaluar, e që tregut të Kosovës i mungojnë rreth 500 milionë euro para të freskëta në xhepat që kanë ardhur nga diaspora”.

“Fondi emergjent i cili më shumë se 170 milionë euro, është ende i implementueshëm tërësisht në mungesë të ligjeve, e që deputetët e papërgjegjshëm po hezitojnë që ta qojnë dorën dhe ta ndihmojë sektorin privat”, tha ai, teksa tha se deputetët kanë përgjegjësi publike që në momente të caktuar ta lejnë anash interesat politike për ta ndihmuar sektorin privat dhe ekonominë e vendit.

Dëme të mëdha pandemia i ka shkaktuar edhe pronarit të “Agrokosova Holding”, Haziz Tafajt, kompani e cila merret me përpunimin e verërave. Ai për Ekonomia Online, tha se me mbylljen e gastronomisë, 70 për qind ka rënë prodhimi i tyre. 

“Pandemia ka shkaktuar vështirësi gjithandej në të gjitha bizneset. Natyrisht se edhe tek ne ka ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e konsumit, ku gastronomia nuk ka punuar më shumë se 70 për qind, e që natyrisht se me këtë përqindje kemi rënie”.

“Kështu që shpresoj se kjo situatë të tejkalohet sa më shpejt dhe shpresoj që institucionet e Kosovës të arrijnë ta keni parasysh që prodhimi vendor në këtë moment ka nevojë për kujdes dhe përkrahje që ta tejkaloj këtë situatë jashtëzakonisht e rëndë”, tha ai.

Tafaj thotë se përpjekjet e tyre janë rritur që ta zbusin sado pak këtë gjendje, teksa kanë filluar që të merren me prodhime tjera.

Sipas tij, kanë humbur një pjesë të madhe të konsumit, por që shpreson se me rikthimin e gastronomisë, ta rikthejnë edhe tregun vendor.

“Ne kemi bërë përpjekjet tona që ta zbusim këtë situatë, duke u marrë edhe me prodhime tjera, por gjithsesi se humbjet e shkaktuara nga pandemia janë shumë evidente. E kemi humbur një pjesë të madhe të konsumit dhe shpresoj që me rikthimin e sektorit të gastronomisë ta rikthejmë edhe tregun”.

“Shumë kompani kanë falimentuar dhe unë mendoj se një përqindje shumë e lartë të sektorit të gastronomisë nuk kanë aftësi që të fillojnë aktivitetin e vet dhe kjo është mungesë e konsumit”, tha ai.