Gastronomët pezullojnë protestën deri në vendimin e së hënës të Qeverisë

Gastronomët pezullojnë protestën deri në vendimin e së hënës të Qeverisë

Ekonomia September 23, 2020 - 20:02

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka marrë vendim që të pezullojë protestën e paralajmëruar për këtë të premte para qeverisë së Kosovës.

Në mbledhjen e mbajtur të martën të Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me COVID-19, ku u vlerësua se do të merret një vendim pozitiv për kërkesat e gastronomëve, këta të fundit kanë vendosur që ta anulojnë protestën e paralajmëruar, transmeton Zeri.info.

Shoqata e Gastronomëve (SHGK) thotë se në takimin e Komitetit, ku ishin të pranishëm edhe ata, u dhanë disa rekomandime që masat sa i përket orarit të punës dhe qarkullimit të personave fizikë, duhet që të lehtësohen.

“Kjo me arsye sepse vlerësimet e fundit lidhur me gjendjen e përhapjes së COVID-19, tregojnë se ka përmirësime të dukshme në uljen e numrit të rasteve pozitive. Këto rekomandime u mbështetën edhe nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili në takimin e realizuar sot me shoqatën tonë, u zotua që vendimi i Qeverisë së Kosovës do të jetë pozitiv, pasiqë këto vendime gjithnjë janë në përputhje me rekomandimet e komitetit”, ka thënë kjo Shoqatë.

SHGK-ja thotë se vazhdimisht ka kërkuar që masat sa i përket orarit të punës dhe qarkullimit të personave fizikë të shtyhen deri në ora 12:00 (të natës, shën. red.), e poashtu ka kërkuar që aktivitetet e shërbimeve në hapësira të brendshme të lejohen sa më shpejtë.

“Në bazë të këtyre zhvillimeve, kemi vendosur që protesta e caktuar të premten me dt. 25.09.2020, të pezullohet deri në marrjen e vendimit të Qeverisë, të hënën me dt. 28.09.2020”, thuhet në njoftimin nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

Në rast se qeveria nuk merr vendim pozitiv për kërkesat e tyre, gastronomët kanë paralajmëruar se javën e ardhshme do të thërrasin protestën.

“Në rast të mosmarrjes së këtij vendimi, atëherë të hënën do të ju njoftojmë lidhur me datën dhe kohën e mbajtjes së kësaj proteste, me organizim dhe mbështetje sa më të madhe! Ne garantojmë sektorin e gastronomisë se me të gjithë kapacitetin që kemi, nuk do të ndalemi asnjë ditë duke avokuar për interesin dhe shërbimin tuaj”, ka thënë Shoqata e Gastronomëve të Kosovës. /Zëri