Oda Amerikane kërkon nga Qeveria lejimin e punës brenda lokaleve dhe heqjen e kufizimit të lëvizjes

Oda Amerikane kërkon nga Qeveria lejimin e punës brenda lokaleve dhe heqjen e kufizimit të lëvizjes

Ekonomia September 24, 2020 - 10:13

Oda Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës lehtësi për sektorin e gastronomisë.

Në këtë kontekst, me anë të një komunikate për media, Oda Amerikane e Kosovës ka përmendur kufizimin e lëvizjes dhe ndalimin e përdorimit të ambientit të brendshëm në objektet afariste të gastronomisë.

“Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e anëtarëve lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që kufizojnë aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve të industrisë HORECA. Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit cilëson se kufizimi i orarit të lëvizjes dhe ndalesa e përdorimit të ambientit të brendshëm në aktivitetet e subjekteve afariste si në restorante, bare, pube, pengon rimëkëmbjen e këtyre bizneseve dhe zhvillim të lirë të aktivitetit ekonomik në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, derisa një praktikë e tillë gjithashtu ka implikime të dëmshme në zhvillimin ekonomik dhe përkeqësimin e ambientit të bërit biznes”, thuhet në komunikatë.

“Të njëjtin efekt ka edhe vonesa në zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike të lidhura edhe me vonesat në aprovimin e legjislacionit përkatës, e cila mes të tjerash pamundëson edhe zbritjen e normës së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në 8%. Kjo ndikon në rimëkëmbjen e bizneseve të kësaj fushe, derisa aprovimi më i shpejtë i ligjit do të kishte ndikim në lehtësimin e operimit të ndërmarrjeve të prekura nga ndikimi i pandemisë COVID-19”, thuhet tutje aty.

Sipas Odës Amerikane, vendimi për kufizimin e lëvizjes dhe ndalesën e qëndrimit, ngrënies dhe pirjes në ambiente të mbyllura, po ndikon negativisht në operimet e subjekteve afariste përmes kufizimit të numrit të klientëve.

“Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit konsideron se vendimi për ndalimin e qëndrimit brenda dhe kufizimin e orarit të lëvizjes pa dyshim që ka implikime edhe në zvogëlimin e të ardhurave nga shitjet e që pamundëson zgjerimin dhe zhvillimin e sektorit HORECA. Rrjedhimisht, Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit konsideron se çdo efekt pozitiv i gjeneruar nga një politikë e tillë do të mbipeshohej nga ndikimet negative që ka në ekonominë e vendit dhe bizneset. Prandaj, konsiderojmë se angazhimi i institucioneve të qeverisjes lokale duhet të jetë i bazuar në krijimin e një mjedisi të shëndoshë për sektorin privat, i cili krijon parakushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror gjatë kësaj periudhe”, thuhet më tutje në njoftim.

Përfundimisht, Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që në koordinim me ministritë dhe institucionet përkatëse të rivlerësojnë masat e vendosura, të lejojnë qëndrimin në ambiente të mbyllura, në restorante, bare dhe pube, gjithmonë duke respektuar masat e vendosura nga IKSHPK-ja, të largojnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe të bëjnë votimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.