Infektuar: 17422
Shëruar: 14894
Vdekur: 657
Hoti tregon se cilat biznese do të përfitojnë nga subvencionimi i pagave
Foto: Laura Hasani

Hoti tregon se cilat biznese do të përfitojnë nga subvencionimi i pagave

Ekonomia September 28, 2020 - 09:57

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur pas vendimit të Qeverisë për ndarjen e 60 milionë euro për subvencionimin e pagave për bizneset në Kosovë.

Hoti ka treguar kriteret se si mund të përfitojnë bizneset nga ky vendim i Qeverisë.

Sipas vendimit, pagat do të subvencionohet për bizneset sipas numrit të të punësuarve që kanë pasur nga dhjetori i vitit 2019, raporton “Zeri.info”.

“Sot kemi ndarë 87 milionë euro për biznese dhe qytetarë, ku 60 milionë euro do të mbështeten bizneset varësisht prej numrave të punëtorëve që kanë. Do ta thjeshtësojmë këtë çështje në maksimum, duke mos kërkuar që bizneset të aplikojnë në Ministrinë e Financave ose në Qeveri për të marrë këto fonde, por do të përdorim kritere të thjeshta duke u bazuar në numrin e të punësuarve që bizneset kanë në dhjetorin e vitit 2019 dhe mbi këto kritere do të ndajmë këto mjete si subvencionim për koston e pagave që kanë bizneset në Kosovë”, ka thënë Hoti pas mbledhjes së Qeverisë.

Kreu i Qeverisë ka thënë se Ministria e Financave për pak ditë do të nisë të procedojë pagesat, duke marrë listën e bizneseve nga Administrata Tatimore e Kosovës, ndërsa ka thënë se nga ky vendim nuk përfitojnë kompanitë që operojnë në tregjet e rregulluara.

“Këto mjete tashmë janë në dispozicion dhe Ministria e Financave për disa ditë do të procedojë me pagesa automatikisht në llogaritë e bizneseve duke marrë listën nga Administrata Tatimore e Kosovës, duke përjashtuar kompanitë që operojnë në tregjet e rregulluara që nënkupton jo për banka ose për ndërmarrje publike, por për bizneset tjera private”, ka shtuar Hoti. /Zëri