Dyfishohen subvencionet në bujqësi për vitin 2020

Dyfishohen subvencionet në bujqësi për vitin 2020

Ekonomia September 28, 2020 - 11:06

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë dritë jeshile nga Qeveria që të dyfishojë subvencionet, të krahasuara me normat e vitit 2019, për të gjitha kulturat e përfshira në Programin për Pagesa Direkte për vitin 2020.

“Sivjet do të paguajmë dyfish subvencionet për të gjitha kulturat e përfshira në Programin për Pagesa Direkte për vitin 2020: për grurin, misrin, elbin, cilësinë e qumështit, krerët e lopëve dhe buallicave qumështore, delet, dhitë, dosat, pulat, vreshtat, verën, bletët, mjedrën, peshkun, BMA-të dhe të gjitha kulturat dhe masat tjera të përfshira në PPD2020”, bëri me dije ministri i MBPZHR-së, Besian Mustafa, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, e mbajtur sot.

Tutje, ai tha se ky hap është ndërmarrë si masë për t’u dalë ballë sfidave me të cilat po ballafaqohet sektori bujqësor gjatë pandemisë COVID-19.

“Prandaj, që nga dita e parë e qeverisë “Hoti”, si pjesë integrale e Programit qeverisës, në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike, kemi paraparë dyfishimin e subvencioneve vetëm për vitin 2020”, tha tutje ministri Mustafa, duke shtuar se dyfishimi i subvencioneve do të rritë substancialisht fondet që bujqit do të kenë në xhirollogaritë e tyre për të investuar edhe më shumë në bujqësi.

Me këtë dyfishim në industrinë e qumështit cilësia do të paguhet me: 12 centë për litër të klasës ekstra, 8 centë për klasën e parë dhe 4 centë për klasën e dytë.

Me nga 140 euro do të paguhet për krerë të lopëve dhe të buallicave qumështore, 30 euro për dele dhe dhi. Dyfish do të paguhet edhe subvencioni për pulat vojse, 1 euro për thëllëza, 40 euro për dosa në riprodhim, 100 euro për therjet e gjedhit në thertore të licencuara dhe 40 centë për kilogram të peshkut. Bletaria dhe mjedra sivjet do të subvencionohen me 30 euro çdo koshere dhe me 16 centë çdo kilogram i mjedrës.

Për t’u siguruar që këto fonde do të shkojnë në vendin e duhur, pra për të ndihmuar bujqit, ministri Mustafa paralajmëroi rritjen e kontrollit dhe monitorimit të vazhdueshëm para se të realizohen pagesat. /Zëri