Kosova shënon rritje të eksportit me shtetet e BE-së dhe të CEFTA-s

Kosova shënon rritje të eksportit me shtetet e BE-së dhe të CEFTA-s

Ekonomia October 23, 2020 - 15:00

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator 2020.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-4,5%) në muajin shtator 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 245.5 milionë eurosh, duke e krahasuar me deficitin prej 257.2 milionë eurosh në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 14,5%.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin shtator 2020 kishte vlerën 41.7 milionë euro, ndërsa importi 287.2 milionë euro, që është një rritje prej 8,6% për eksport dhe një rënie prej (-2,8%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23,7% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,5% të eksporteve e përbëjnë produktet bimore; 13,3% të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 12,7% të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9,6% të eksporteve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6,8% të eksporteve e përbëjnë produktet minerale; 4,6% të eksporteve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4,5% të eksporteve e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13,3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9,5% e përbëjnë produktet minerale; 7,9% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7,8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre”, bëhet e ditur tutje në njoftim.

Ndërkaq eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 15.3 milionë euro, ose rreth 36,8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19,2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (13,3%), Britania e Madhe (3,7%), Holanda (3,3%) etj.

Kurse importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 119.5 milionë euro, ose 41,6% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-16,0%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13,3%), Italia (5,0%), Polonia (3,2%), Greqia (2,6%). Në muajin shtator 2020 eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 18.5 milionë euro, ose 44,6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15,9%.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (15,6%), Maqedonia e Veriut (10,5%), Serbia (9,5%) dhe Mali i Zi (7,3%).

Ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2020 arritën në 62.4 milionë euro, ose 21,7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 46,7%.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (7,2%), Serbia (6,6%) dhe Maqedonia e Veriut (5,8%). Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7.7 milionë euro, ose 18,6%.

Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (8,6%) dhe Zvicra (7,1%). Kurse importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 105.2 milionë euro, ose 36,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12,3%) dhe Kina (10,1%). /Zëri