Thesari jep sqarimin për dërgimin e letrës operatorit ekonomik për kthimin e mbi dy milionë eurove

Thesari jep sqarimin për dërgimin e letrës operatorit ekonomik për kthimin e mbi dy milionë eurove

Ekonomia October 23, 2020 - 17:10

Thesari i Kosovës ka dhënë sqarime rreth kërkesës që kanë bërë këtë të premte ndaj kompanisë “LDA Group” për kthimin e mbi dy milionë eurove të cilat u transferuan jashtëligjshëm ditë më parë në llogaritë e tyre.

Në një njoftim për media nga MF-ja kanë bërë të ditur se kjo kërkesë në raste të tilla parashihet me ligj.

“Ju njoftojmë se shkresa protokollare që është dërguar si kërkesë për kthim të mjeteve, është procedurë standarde e paraparë në nenin 12, paragrafit 12 të ligjit e buxhetit, i cili thotë se në rast se një individ, zyrtar, person apo një entitet pranon ndonjë pagesë nga Fondi i Kosovës si rrjedhim i gabimit, ngatërrimit apo lëshimit, ato fonde i kthehen Fondit të Kosovës në afat prej pesë (5) ditësh nga pranimi i njoftimit me shkrim”, thuhet në njoftimin e MF-së.

MF-ja thotë se letra është dërguar në adresën e deklaruar në ARBK të operatorit ekonomik i dyshuar për krejt këtë vepër.

“Duke shprehur bindjen se të gjitha faktet do të zbardhën dhe kryesit do të marrin dënimin e merituar, e pame të rrugës të sqarojmë qëllimin dhe arsyen e dërgimit të kësaj shkrese, që është në përmbushje të obligimit ligjor si veprim procedural”, thuhet më tej në njoftim./Zëri