Publikohet monografia për ndryshimet organizative në ndërmarrje të vogla dhe të mesme

Publikohet monografia për ndryshimet organizative në ndërmarrje të vogla dhe të mesme

Ekonomia December 01, 2020 - 13:29

Implikimet në punësim dhe në aftësi konkurruese janë fokusi i kësaj monografie që sapo ka dal nga shtypi duke sjellë informacion dhe studim të thelluar rreth ndërmarrjeve.

Një monografi shkencore e botuar këto ditë përfshin sfidat dhe zgjidhjet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në treg.

Në këtë monografi potencohet se organizata për të qenë konkurrente, së pari duhet të kuptojë se çfarë është konkurrenca dhe më pastaj të veprojë konkretisht në treg.

Monografia “Ndryshimet organizative në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, implikimet e tyre në punësim dhe në aftësi konkurruese”, me autor profesorin universitar Naim Mustafa sjellë mjedisin në të cilin operojnë këto organizata.

Mustafa në një deklaratë për “Zërin” thotë se aktualisht mjedisi në të cilin operojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesmet karakterizohet me ndryshime strukturore dinamike, ku zhvillimi i teknologjisë, ndërkombëtarizimi i bizneseve, rritja e konkurrencës globale dhe pasiguria për të ardhmen janë elemente të cilat rrjedhin natyrshëm. Prandaj, sipas tij ndryshimet organizative janë çështje e rëndësishme për mjedisin e sotëm të biznesit, të cilat kërkojnë menaxhim të tyre nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesmet, raporton Zeri.info

“Nevoja për ndryshime në organizatë buron nga dy mjedise kryesore, nga mjedisi i jashtëm ku hyjnë faktorët ekonomikë, social, politikë, teknologjikë dhe ekologjik, i cili është i ndikueshëm prej organizatës, por i pakontrollueshëm prej saj, dhe mjedisi i brendshëm i cili formohet në organizatë me destinacionin të përmbushjes së ndonjë kërkesë, e cila vjen nga mjedisi i jashtëm”.

Mustafa thotë se për të mbijetuar, për të rritur dhe për të krijuar perspektivë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesmet duhet të përshtaten dhe të harmonizohen me mjedisin e jashtëm. Ai thekson se mjedisi i jashtëm përshtatet me një strategji efektive, të hartuar nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesmet për t’i menaxhuar sukseshëm ndryshimet ekzekutive. “Për t’i kuptuar faktorët që ndikojnë në organizatë është e nevojshme të identifikohen e të analizohen ato”.

Ai thotë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesmet ballafaqohen me dy grupe të sfidave, dhe sipas tij këto kanë të bëjnë me identifikimin e faktorëve të cilët ndryshojnë vazhdimisht dhe me vendimmarrjen për strategjinë që do ta implementojnë në funksion të adaptimit me ndryshimin nga mjedisi i jashtëm.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesmet aktivitetin e tyre biznesor nuk mund ta ushtrojnë suksesshëm, pa i menaxhuar ndryshimet në mënyrën më efektive. Ekonomia e tregut është emërtimi i rëndësishëm në kohën moderne. Kjo ka domethënien e zhvillimit të bizneseve në pronësi private, në kushte demokratike dhe në tregje të liberalizuar. Nuk ekzistojnë pengesa të veçanta për të hyrë dhe për të vepruar në tregje, përveç problemeve të cilat dalin nga vetja dhe nga mënyra e menaxhimit të ndryshimeve organizative”, thotë Mustafa.

Profesor Mustafa bënë të ditur se problemet janë të lidhura me nivelin e konkurrencës që e arrijnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesmet. Konkurrenca, siç thotë ai është përpjekje dhe angazhim i organizatave për të qenë më të mira, më të afta, të parat dhe mundësisht liderë.

“Organizata për të qenë konkurrente , së pari duhet të kuptojë se çfarë është konkurrenca dhe më pastaj të veprojë konkretisht në treg. Lidhur me faktin sesa janë të afta dhe konkurrente, ndërmarrjet e vogla dhe të mesmet verifikimet dhe matjet i bëjnë në treg. Një menaxhim i suksesshëm i ndryshimit, ndërmarrjet e vogla dhe të mesmet i ndihmon të jenë të suksesshme në raport me konkurrencën”, ka thënë Mustafa. /Zëri