Vihet në pikëpyetje ndarja e 300 eurove për punëtorët

Vihet në pikëpyetje ndarja e 300 eurove për punëtorët

Ekonomia January 10, 2021 - 13:58

Ende nuk ka filluar ndarja e 300 eurove për tre muaj për punëtorët të cilët kanë humbur vendin e punës gjatë periudhës së pandemisë me COVID-19, ashtu siç parashihet me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike është paraparë që nga buxheti i Kosovës të paguhen pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor-dhjetor 2020 të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna, për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj, pas datës 29 shkurt e deri më 30 dhjetor 2020.

Por, ndarja e këtyre mjeteve mund të mos bëhet në mungesë të mjeteve financiare.

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë, se amandamenti i këtij Ligji nuk është mbuluar me mjete financiare në buxhetin e miratuar të Kosovës për vitin 2021.

“Deklarimet që janë bërë para se të miratohet buxheti për vitin 2021, se do të shtohen 200 milionë euro për bizneset dhe 25 milionë euro për punëtorët nuk janë ndryshuar (nuk janë përfshirë në buxhet). Në draft buxhetin aktual është një shifër prej 182 milionë euro, ku përfshihen sektori i biznesit, punëtorët, një pjesë është për shëndetësi, një pjesë për fondin për garantim të kredive. Nga kjo shumë rreth 106 milionë do të ndahen për bizneset dhe punëtorët”, thotë Krasniqi.

Për ndarjen e këtyre mjeteve, Krasniqi thotë se ende nuk ka vendim nga Qeveria e Kosovës, vendim ky i cili do të mundësonte shpërndarjen e këtij fondi.

Por, sidoqoftë, sipas Krasniqit, në këtë shpërndarje, nuk mund të flitet as për 300 euro as për ndonjë shifër tjetër.

“Duhet të pritet vendimi i qeverisë i cili do të përcakton se si do të bëhet ndarja, për cilat kategori dhe sa duhet të jetë shuma që ndahet”, thotë ai.

Krasniqi beson që javën e ardhshme do të merret vendimi i përgjithshëm për shpërndarjen e mjeteve.

“Fillimi i zbatimit të masave do të jetë varësisht nga realizmi i të hyrave që vinë në buxhet. Vendimi i parë ka me qenë për vetë të punësuarit që janë larguar pa të drejtë nga përfitimi i mëhershëm prej 290 euro, do të jenë pastaj mjetet që ndahen për arsim e gradualisht ashtu si vinë mjetet në buxhet do të merrren edhe vendimet”, tha Krasniqi.

Lidhur me shpërndarjen e këtyre mjeteve, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje edhe nga Zyra e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti, por nga kjo zyre është thënë që lidhur me këtë çështje t’i drejtohemi Ministrisë së Financave.

Ndarja e 300 eurove për tre muaj për punëtorët të cilët kanë humbur vendin e punës ishte propozim i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Kjo parti, po ashtu, kishte propozuar edhe themelimin e një granti në shumë prej 200 milionë euro, ndihmë financiare bizneseve që janë prekur nga pandemia me COVID-19.

Të dyja këto propozime ishin futur në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, por që për të dy propozimet nuk janë ndarë fonde kur është bërë miratimi i buxhetit për vitin 2021.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.