Gastronomët i quajnë të turpshme partitë që po mbajnë tubime

Gastronomët i quajnë të turpshme partitë që po mbajnë tubime

Ekonomia January 25, 2021 - 13:09

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar sërish ndaj partive politike që po mbajnë tubime në kundërshtim me masat anti-COVID, nga të cilat janë prekur më së shumti bizneset e tyre.

Gastronomët kanë vlerësuar se masat për parandalimin e pandemisë COVID-19, që kanë filluar nga 13 marsi i vitit të kaluar, janë jo vetëm kufizime të të drejtave themelore të njeriut, përkatësisht të lëvizjes së lirë, por shkaktojnë edhe kufizime sa i përket funksionimit të mirëfilltë të shumicës së sektorëve ekonomikë e sidomos gastronomisë.

Sipas tyre, për fushata zgjedhore partitë politike vendimet mund t’i përshtatin e t’i dizajnojnë sipas interesave të tyre, ndërsa thanë se “është turp për partitë” që po japin shembuj të mosrespektimit të masave.

Gjithashtu ata kanë kërkuar që të mos dënohen bizneset dhe gjobat që janë dhënë deri tani të falen.

Reagimi i plotë:

Që nga data 13 mars e deri sot institucionet publike të vendit janë angazhuar duke marrë vendime për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19. Këto vendime përmbajnë jo vetëm kufizime të të drejtave themelore të njeriut, përkatësisht të lëvizjes së lirë, por shkaktojnë edhe kufizime sa i përket funksionimit të mirëfilltë të shumicës së sektorëve ekonomikë e sidomos gastronomisë.

Për këto vendime pothuajse i gjithë sektori privat, me dëshirë dhe pa dëshirë, i shtyrë nga gjendja e rëndë e shëndetit publik, është pajtuar dhe zotuar që për të njëjtin qëllim të heqë dorë jo vetëm nga përfitimet e tij, por edhe është dashur të investojë në respektimin e denjë të këtyre vendimeve.

Ky kompromis ka shkuar edhe më larg se kaq, duke lënë të papunë shumë punëtorë e që shumë nga ta janë kontribuues të vetëm në familjet e tyre.

Ironia e gjithë kësaj situate të shkaktuar shpaloset tash kur vjen në shprehje interesi i klasës sonë politike. Kjo klasë politike tani na tregon që virusi mund të luftohet edhe ndryshe; me mbajtje të aktiviteteve publike, grumbullim deri në 30 persona në ambiente të mbyllura, 50 persona në ato të hapura (bile në disa raste shumë më shumë se kaq) dhe respektim aty-këtu të mbajtjes së maskave dhe distancës. Mesa duket për fushata zgjedhore vendimet mund të përshtaten e të dizajnohen sipas po këtij interesi.

Turp të keni çfarë shembulli jeni duke dhënë!

Mos i dënoni më bizneset, kur vetë nuk i respektoni masat!

Gjobat duhet të falen dhe të kompensohen, se qëllimi i tyre nuk është pasurimi i buxhetit, por luftimi i pandemisë!

Jo standarde të dyfishta, por ligj dhe kushtetutë të barabartë për të gjithë!

(Në pamjet e mëposhtme mund të shihni se çfarë vullneti kanë përfaqësuesit e vendit për përmirësimin e shëndetit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë!).

 

Që nga data 13 mars e deri sot, institucionet publike të vendit janë angazhuar duke marrur vendime për të parandaluar...

Posted by Shoqata e Gastronomëve të Kosovës on Monday, January 25, 2021