Ministria e Financave i reagon Shpend Ahmetit: Thesari do të procedojë në kohë të gjitha shpenzimet e aprovuara

Ministria e Financave i reagon Shpend Ahmetit: Thesari do të procedojë në kohë të gjitha shpenzimet e aprovuara

Ekonomia January 27, 2021 - 19:03

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti sot ka thënë se Ministria e Financave që nga dhjetori ka mbyllur Thesarin e Shtetit, duke i bërë kështu fajtor edhe për mos realizimin e pagesave përfshirë ndihmën për të prekurit nga COVID, grantet për biznese dhe ndihmat bujqësore .

Ministria e Financave menjehërë ka reaguar, duke sqaruar se operacionet e Thesarit të Kosovës kanë vazhduar normalisht me fillimin e vitit fiskal 2021.

Në reagim, MF-ja ka thënë se buxheti për vitin 2021 është vendosur në sistem, menjëherë sapo ka hyrë në fuqi dhe ka filluar të ekzekutohet, për organizatat që kanë sjellë zyrtarët e autorizuar për qasje në sistem.

“Për dijeni, qasja e organizatave buxhetore në Sistemin e Thesarit bazohet në legjislacionin dhe procedurat në fuqi. Secila organizatë që e ka përfunduar dhe sjellë dokumentacionin e kompletuar në Thesar është pajisur me qasje në SIMFK, dhe buxheti për vitin 2021 ka filluar të ekzekutohet”

“Megjithatë, ka ende disa organizata të cilat janë në proces të kompletimit të dokumentacionit dhe qasjet e tyre do të krijohen sapo të përfundojnë procedurat e parapara ligjore dhe teknike. Është krejtësisht në dorën e organizatave buxhetore (OB) plotësimi i dokumentacionit dhe kërkesave të legjislacionit sa i përket qasjes në sistem”, thueht në sqarimin e Ministrisë.

Sipas tyre një nga nga këto organizata është edhe Komuna e Prishtinës, e cila ditën e djeshme ka kompletuar kërkesën për qasje në sistem (26.01.2021), bashkë me kërkesën për trajtim dhe certifikim të Zyrtarit Kryesor Financiar (i emëruar dje, 26.01.2021).

“Kërkesa menjëherë ka filluar të trajtohet dhe qasjet do të ofrohen sapo të përfundojë procesi (brenda 48 orësh pas kompletimit të dokumentacionit nga OB)”, kanë thënë MI-ja në sqarim.

Ata kanë siguruar që të gjitha operacionet dhe aktivitetet po zhvillohen normalisht, ndërsa kanë rikujtuar ë se ekzekutimi i buxhetit është i decentralizuar tek organizatat buxhetore, të cilave alokimet u janë dhënë sipas planit të rrjedhës së parasë, dhe janë përgjegjëse për realizimin e buxhetit të tyre, në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi.

“Thesari do të procedojë në kohë të gjitha shpenzimet e aprovuara (certifikuara) nga organizatat buxhetore, në përputhje me kompetencat dhe autorizimet sipas legjislacionit ne fuqi”, thuhet në fund të reagimit./Zëri