Miratohen tri aplikacione, me të cilat Kosova do të aplikojë në Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor

Miratohen tri aplikacione, me të cilat Kosova do të aplikojë në Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor

Ekonomia February 24, 2021 - 09:52

Gjatë mëngjesit të sotëm është mbajtur takimi i radhës i Komisionit për Planifikim Strategjik, i kryesuar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Gjatë këtij takimi u miratuan tri aplikacione, me të cilat Kosova do të aplikojë në raundin e 25-të të asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), për të zhvilluar projektet sikurse “Rehabilitimi dhe ndërtimi i infrastrukturës për mbrojtjen nga vërshimet përgjatë lumenjve Drini i Bardhë, Sitnica dhe Morava e Binçës”, “Ndërtimi i hidro-sistemit ‘Ibër-Lepenc’ dhe për “Përmirësimin e infrastrukturës në institucionet e arsimit të lartë”.

Po ashtu u miratua edhe aplikacioni për raundin 6-të të granteve investuese të WBIF, për Autostradën e Paqes, seksionin Besi - Merdar, në vlerë prej 38 milionë eurove. Këto mjete financiare pritet t’i shtohen grantit me vlerë të njëjtë tashmë të miratuar në dhjetor nga WBIF dhe kjo pritet të çojë vlerën totale të përfitimit për këtë projekt në 76 milionë euro nga grantet e WBIF, ose 40% e kostos totale të projektit.

“Asistenca teknike e përfituar për këto projekte do të ndihmojë në përgatitjen për kryerjen e investimeve, ndërsa grantet investuese do të zbatohen drejtpërdrejt. Pjesa tjetër e investimeve do të mbulohen nga huat e ofruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investime. Aplikacionet e miratuara do të jenë në funksion të zbatimit të përfitimeve që Kosova do të ketë nga Plani për Ekonomi dhe Investime i BE-së për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e dërguar për media. /Zëri