Kosova jashtë integrimit rajonal ekonomik

Kosova jashtë integrimit rajonal ekonomik

Ekonomia February 25, 2021 - 16:18

Kompania e mishit “Meka”, që është një nga bizneset prodhuese në Kosovë, nuk ka arritur që të jetë e pranishme në tregjet rajonale, përveç Shqipërisë. Kjo për faktin se, siç thotë pronari i kësaj kompanie, Burim Pirraj, disa nga vendet e rajonit kanë vendosur barriera jotarifore.

Në shkëmbimet tregtare, vende të caktuara përdorin barriera jotarifore, si një masë për kufizimin e importit nga një vend i caktuar.

Por, këto veprime bien ndesh me marrëveshjet e nënshkruara për tregti të lirë, siç është CEFTA, marrëveshje kjo e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Vendet që janë anëtare të CEFTA-s (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia), bëjnë barriera jotarifore, siç është për shembull, kontrolli i objekteve apo gjërave tjera që na pengojnë që të arrijmë në tregjet jashtë Kosovës”, thotë Pirraj për Radion Evropa e Lirë.

Për largimin e barrierave jotarifore nga shtetet e rajonit, Pirraj thotë se nuk kanë gjetur përkrahjen institucionale.

“Kur kemi probleme të tilla, nga institucionet tona shikohet si problem individual dhe jo ndërshtetëror, shteti nuk merret dhe ne jemi të demoralizuar nga kjo qasje. Është vështirë të bëhet biznes”, thotë ai.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër vite kanë vendosur barriera tregtare mes njëra-tjetrës.

Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina pothuajse në vazhdimësi kanë krijuar barriera tregtare ndaj produkteve ‘Made in Kosova’, duke mos e njohur dokumentacionin që lëshohej nga ky shtet.

Për shkak të këtyre problemeve, Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Ndërkaq, në prill të vitit 2020, qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, zëvendësoi taksën me masën e reciprocitetit. Por, me të marrë detyrën kryeministri Avdullah Hoti hoqi masën e reciprocitetit.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.