Grantet dhe subvencionet e gëlltitura nga zyrtarët

Grantet dhe subvencionet e gëlltitura nga zyrtarët

Ekonomia February 27, 2021 - 09:49

Nga 10 deri në 30 për qind të vlerës së përgjithshme të granteve apo subvencioneve, të fituara nga buqit dhe fermerët, në shumicën e rasteve është dashur të jepen ryshfet për zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, thonë për Radion Evropa e Lirë, Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve dhe Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit.

Ata tregojnë se në shoqata vazhdimisht është diskutuar për parregullsitë në procesin e shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve, por asnjëri nga bujqit apo fermerët, nuk ka marrë guximin që padrejtësitë t’i paraqesin tek autoritetet kompetente, për shkak të frikës së humbjes së përfitimit.

As për Radion Evropa e Lirë, disa nga bujqit e kontaktuar, përfitues të granteve, nuk kanë pranuar të tregojnë historitë e tyre.

Vlera e ndarë për subvencione dhe grante nga Qeveria e Kosovës në pesë vjetët e fundit, sipas tyre, ka qenë rreth 50 milionë euro.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për Radion Evropa e Lirë, lidhur me shumën e ndarë të subvencioneve dhe granteve apo ankesave eventuale të fermerëve apo bujqve.

Mema: “Lista e zezë” për fermerët

Ramadan Mema thotë se shumica e fermerëve janë përballur me kërkesa për ryshfet për sigurimin e skemave të subvencioneve të ndara për ta nga tatimpaguesit e Kosovës.

“Ka ekzistuar një frikë te shumica e përpunueseve që t’i bëjnë publike parregullsitë sepse kanë menduar se do të hyjnë në ‘lista të zeza’ jozyrtare, që në të ardhmen nuk do të kenë mundësi që të jenë përfitues të skemave të ndryshme të subvencioneve që i ka aplikuar Ministria e Bujqësisë. Përndryshe, mendoj se pjesa dërmuese e përfituesve të këtyre subvencioneve, secili mund të ketë një histori”, tha Mema.

Subvencionet janë fonde që qeveria ua merr taksapaguesve dhe ua jep grupeve të caktuara për t’i mbështetur bizneset e tyre dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Kurse grantet janë ndihmë e dhënë nga një organizëm qeveritar ose joqeveritar, në formën e transferimit, por që duhet plotësuar disa kushte të paracaktuara që lidhen me veprimtarinë e shfrytëzimit të kësaj njësie ekonomike.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU