AKB: Kosovarët shpenzuan 10 milionë euro këtë vikend në Shqipëri dhe Mal të Zi

AKB: Kosovarët shpenzuan 10 milionë euro këtë vikend në Shqipëri dhe Mal të Zi

Ekonomia April 13, 2021 - 14:42

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, prezantoi një studim hulumtues nga data 9-11 prill 2021 në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, duke treguar se sa qytetarë vizituan këto vende për të kaluar vikendin.

Përmes një konference për media, Shahini tha se për këto katër ditë Kosovën e lëshuan rreth 30 mijë qytetarë, biznesmenë, politikanë, zyrtarë e sportistë, që kaluan për 3-4 ditë kryesisht në Durrës, Tiranë, Shëngjin, Vlorë, Sarandë, Ulqin e Budvë.

Nga përllogaritjet e AKB-së, sipas Shahinit, del se ata kanë shpenzuar mesatarisht 100 euro në ditë, duke përfshirë akomodim e ushqim, pije, transport, blerjet dhe shoping familjar, dhuratat, taksën rrugore, sigurim kufitar, internet e impulse në telefon.

Këto, sipas Shahinit, ishin kryesisht shpenzime elementare, të cilat mund të jenë edhe më të larta, pasi, gjithnjë sipas kësaj organizate, kryesisht në vizita të tilla relaksuese nuk kursehet.

“Me vete bartin një kapital rreth 20% të qytetarëve nga 300-500 € në xhepa, 30% nga 500-1000 €, 20% nga 1000 -1500 €, 15% nga 1500-2000 €, 10% nga 2000-3000 € dhe 5% nga 3000-5000 €”, ka thënë Shahini në këtë konferencë për media.

Kreu i AKB-së vlerëson se kosovarët shpenzuan rreth 10 milionë euro për këtë vikend në Shqipëri e në Mal të Zi, ndërsa thotë se kjo “dyndje” erdhi si pasojë e masave kufizuese të Qeverisë, që përfshijnë kufizimet dhe mbylljen e qendrave tregtare, hoteleve, restoranteve dhe kafeneve në Kosovë.

“Studimi i AKB-së zbulon se mbi 90% e shpenzojnë të gjithë kapitalin që e bartin me vete. Kosovarët në Shqipëri e në Mal të Zi shpenzojnë më shumë për të provuar dhe shijuar ushqime të ndryshme, sidomos ato të detit më shumë se në Kosovë. Vetëm 5% të vizitorëve nga Shqipëria kalojnë vikendin në Kosovë në kushte normale kundrejt kosovarëve që shkojnë në Shqipëri”, thekson Shahini.

Këtë vikend, sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve, nuk kishte vizitorë nga vendet regjionale në Kosovë për shkak të masave kufizuese në vendin tonë, ndërsa thekson se numri i vizitorëve këtë vikend ishte përafërsisht i njëjtë sikur në vitin 2019, kur ishte koha normale pa pandemi. /Zëri