Gastronomët thonë se është dashur të merren paralelisht masa nga MSH-ja dhe MF-ja
Fotografi ilustruese

Gastronomët thonë se është dashur të merren paralelisht masa nga MSH-ja dhe MF-ja

Ekonomia April 14, 2021 - 14:20

Përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, thotë se masat e reja anti-COVID të Qeverisë kanë qenë shqetësuese për këtë sektor.

Në një intervistë në “Radio Prishtina”, Vranica thekson se këto masa ishin të rënda dhe të ngutshme.

“Masat e fundit të marra nga Qeveria kanë qenë shumë shqetësuese për gastronomët, kanë qenë vendime të rënda dhe të ngutshme, jo të vlerësuara mirë. Të gjitha qeveritë kanë pasur programet e veta në lidhje me rimëkëmbjen ekonomike. Ne mendojmë që është dashur të ketë vendime para mbylljes, është dashur të ketë një evaluim paraprak të bizneseve dhe dëmeve që u janë shkaktuar atyre”, thotë Vranica.

Ndër të tjera, përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve ka kërkuar të merren paralelisht masa nga MSH-ja dhe MF-ja.

“Duhet të merren masa paralele edhe nga Ministria e Shëndetësisë, edhe nga Ministria e Financave sa i përket mbylljes. Vendimi ka qenë shumë i ngutshëm dhe nuk është bërë një menaxhim i mirëfilltë i ekonomisë dhe shëndetësisë. Është dëmtuar jashtëzakonisht ekonomia e në anën tjetër edhe menaxhimi i ekonomisë nuk është bërë”, potencoi ai, raporton Zeri.info.

Vranica thotë se janë ndier të lënë anash me masat kosovare, në raport me ato të Shqipërisë.

“Në Shqipëri kemi një gjendje të njëjtë epidemiologjike. Në Kosovë gastronomia është parë si shqetësim, por jo edhe atje, pasi ata kanë operuar deri në orën 20:00, ndërsa prej dje është zgjatur orari deri në orën 22:00”, tha ndër të tjera ai.

Për më shumë ndiqeni intervistën në vazhdim: