Infektuar: 105864
Shëruar: 96322
Vdekur: 2195
Nuk ka kredi për punonjësit e sektorit privat

Nuk ka kredi për punonjësit e sektorit privat

Ekonomia May 02, 2021 - 18:07

Aprovimi i një kredie në bankat komerciale, për punonjësit e sektorit privat është procesi i vështirë, e në disa raste i pamundshëm, thotë Ardita, e cila ka aplikuar për një vlerë të kredisë në dy institucione financiare në Kosovë, dhe që në të dyja ia kanë refuzuar kërkesën.

Arsyeja e refuzimit të kërkesës, sipas saj, ka qenë afati kohor i kontratës që ka me kompaninë ku ajo punon.

Ardita, 25-vjeçare nga qyteti i Vushtrrisë, që tre vjet punon në një qendër tregtare, me pagë mujore 300 euro, kurse kontrata e saj, vazhdohet për çdo vit.

“Nuk kam marrë përgjigje pozitive. Më kanë thënë se kontrata nuk është e sigurt. (Bankat) po kërkojnë një bashkëhuamarrës që punon në institucionet publike, me kontratë afatgjatë. Shumën që unë po e kërkoj, asnjëra bankë nuk po e aprovon, vetëm sepse punoj në sektorin privat”, tha Ardita.

Por, Labinoti që punon që shtatë vjet në institucione publike, para gjashtë muajsh ka marrë kredinë e dytë në një nga bankat private që operojnë në Kosovë. Ai thotë se nuk ka pasur asnjë kërkesë për dokumente shtesë apo garantues. Krejt çka i ka kërkuar banka, siç tha ai, ka qenë kontrata e punës.

“Më është kërkuar kontrata e punës, e cila është pa afat të caktuar. Nuk kam pasur ndonjë problem. Edhe pse vlera e kredisë së parë nuk është e vogël, edhe kredia e dytë më është aprovuar brenda ditës, pa bashkëhuamarrës apo garantues”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Shoqatën e Bankave të Kosovës për këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të tekstit, nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Banka Qendrore e Kosovës, ndërkaq nuk evidenton ndaras kredimarrësit e sektorit privat dhe ata në sektorin publik.

Bektashi: Paga minimale ndikon në procesin e kreditimit

Institucionet bankare jo rrallëherë në ueb-faqet e tyre publikojnë oferta për kredi për punonjësit e sektorit publik. Ky sektor numëron rreth 80 mijë të punësuar, por sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh, me mbi 220 mijë punëtorë.

Paga mujore në këtë sektor është më e vogël, nën 350 euro, krahasuar me pagën mesatare në sektorin publik, e cila arrin në mbi 500 euro.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se punonjësit e sektorit privat janë të diskriminuar në procesin e sigurimit të mjeteve kreditore. Një nga arsyet e qasjes në kredi, sipas tij, është vlera e pagës minimale në Kosovë, që është 170 euro.

“Shumë punëdhënës në sektorin privat, për t’i ikur taksave, paguajnë vetëm vlerën e pagës minimale, kurse pjesën tjetër e paguajnë me para të gatshme. Faktikisht, kjo është një pengesë për të punësuarit për të pasur qasje në kredimarrje. Ngritja e pagës minimale në 250 ose 300 euro duhet të ndodhë gjithsesi brenda këtij viti kalendarik”, tha ai.

Paga minimale në Kosovë që nga viti 2011 ka mbetur e pandryshuar. Paga minimale është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila tani është në pushtet, në programin e saj kishte planifikuar që pagën minimale ta rrisë në 250 euro dhe kjo pagë të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU