Borxhi publik - mundësi për shpëtimin e ekonomisë

Borxhi publik - mundësi për shpëtimin e ekonomisë

Ekonomia May 08, 2021 - 18:02

Hyrja në borxh publik po konsiderohet nga ekspertë të fushës së ekonomisë si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza ekonomike në të cilën është futur Kosova gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Sipas Bankës Qendrore, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 shënoi rënie deri në 4 për qind.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë për Radion Evropa e Lirë se niveli i Bruto Produktit Vendor është kthyer në nivelin e vitit 2018. Sipas tij, BPV-ja nuk është 7 miliardë euro, por 6.5 miliardë, që është kthim mbrapa.

Për një rikthim të ekonomisë në nivelet e para pandemisë, shton Shatri, do të ishin të mjaftueshme rreth 1.5 miliard euro.

“Këto mjete prej burimeve vetanake është vështirë të gjinden, pasi që aftësia akumuluese është e ulët. Ne mund t’i ndajmë prej buxhetit 500 milionë euro, jo më shumë. Por, pasi që ka hapësirë për marrje të borxhit publik, duhet të orientohemi andej”, thotë ai.

Shatri thotë se futja në çfarëdo borxhi publik, duhet të bëhet me një program të mirëfilltë, i cili do ta arsyetonte para institucioneve financiare kërkesën për hua.

“Nëse nuk shkohet me program të tillë, të përgatitur mirë, nuk ta lejon askush huanë, pasi ata dëshirojnë të kenë kredimarrësin e sigurt, që mjetet e tyre të kthehen në afatin e paraparë”, shton Shatri.

Borxhi publik, 1.5 miliard euro

Masat qeveritare për adresimin e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, kanë ndikuar në rritjen e borxhit publik. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, borxhi publik ka arritur vlerën prej 1.5 miliard euro.

Rritja e borxhit publik i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 21.5 për qind (i cili ka arritur në 961.9 milionë euro), dhe rritjes së borxhit të jashtëm publik prej 28.6 për qind, duke arritur në 525.8 milionë euro.

Si përqindje e Bruto Produktit Vendor, borxhi publik arriti në 21.8 për qind nga 17.5 për qind, sa ishte në dhjetor të vitit 2019.

Në Ligjin për borxhet publike në Kosovë thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Borxhi i përgjithshëm përkufizohet si “tërësia e borxhit shtetëror dhe borxhit komunal, që merren në emër të institucioneve qendrore qeveritare, e që Republika e Kosovës është e obliguar ta paguajë”.

Ekonomia e Kosovës në nivelet e para pandemisë rikthehet më 2022

Rikthimi i ekonomisë në nivelet e para pandemisë edhe sipas Bankës Botërore kërkon vite. BB-ja në raportin e fundit të publikuar në muajin prill, vë në pah se ekonomia e Kosovës në nivelet e para pandemisë, rikthehet më 2022.

Rimëkëmbja, sipas Bankës Botërore, do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe e konsumit, ndërkaq rritja ekonomike parashikohet të mbetet në mbi 4 për qind në periudhën afatmesme.

Të plotë mund ta lexoni KËTU