Kërkohet shkarkimi i Bordit të AKP-së dhe mbyllja e saj
Foto: Zëri/ilustrim

Kërkohet shkarkimi i Bordit të AKP-së dhe mbyllja e saj

Ekonomia May 25, 2021 - 15:10

U.d. e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se sot në Komisionin për Ekonomi kanë rekomanduar mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ajo thotë se në mbledhjen e Komisionit kanë kërkuar të shkarkohet Bordi i kësaj ndërmarrjeje, me qëllim që t’i hapet rrugë mbylljes së AKP-së dhe formimit të fondit sovran.

“Po e bëjmë publike se sot në Komisionin për Ekonomi, GP i LVV-së ka rekomanduar që të mos mbështetet raporti për miratim të punës të AKP-së dhe i kemi rekomanduar seancës plenare që të shkarkohet Bordi i AKP-së. Ky rekomandim është miratuar dhe tash i përcillet seancës së Kuvendit të Kosovës. Me këtë i kemi hapur rrugë qeverisë që të formohet një bord i ri, i cili do të votohet në Kuvendin e Kosovës e që çon në mbylljen e AKP-së dhe bartjen e mjeteve te Fondi Sovran siç parashihet në programin e LVV-së”, deklaroi Kusari-Lila.

Tutje, Kusari tha se AKP-ja i ka shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës.

“Ka pasur një performancë të dobët prej një ndërmarrjeje që ka pasur qëllim tjetër. Ka akumuluar në vazhdimësi kërkesa nga politika dhe i ka shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës”, ka thënë më tutje ajo. /Zëri