Ministrja Hajdari: Nuk kam dashur të sjell masa reciprociteti për asnjë shtet fqinj
Foto: Laura Hasani / ilustrim

Ministrja Hajdari: Nuk kam dashur të sjell masa reciprociteti për asnjë shtet fqinj

Ekonomia May 25, 2021 - 15:12

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se Kosova do të jetë konstruktive me të gjitha shtetet fqinje.

Ajo ka thënë se këtë e synojnë pavarësisht brengave që kanë me shtetin e Serbisë, të cilit nuk do t’ia vendosin masën e reciprocitetit.

“Nuk kam dashur t’i sjell masat e reciprocitetit me asnjë shtet fqinj. Kam dashur t’i zgjidh problemet përmes mekanizmave rajonalë, duke filluar nga CEFTA, RCC-ja dhe mekanizmat e tjerë evropianë që mund të na ndihmojnë për zhvillim. Kam kuptuar se kam përkrahje të madhe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi”, ka thënë ajo në konferencë.

Vetë Hajdari më 6 qershor të vitit 2020 ka qenë deklaruar për vendosjen e masës së reciprocitetit, duke thënë se pa të nuk ka barazi.

“Pa reciprocitet nuk ka barazi. Nuk ka shtet. Nuk ka sovranitet”, ishte shprehur ajo në një status në Facebook.

Vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë ka qenë politikë e përkrahur ndër vite nga Lëvizja Vetëvendosje. /klankosova