E-banking rrit çmimet për ata që shkojnë në sportele të bankave
Foto Ilustruese

E-banking rrit çmimet për ata që shkojnë në sportele të bankave

Ekonomia May 28, 2021 - 15:29

Besnik Abdullahu, punëtor në një ndërmarrje publike në Kosovë, thotë se tarifat për shërbime të ndryshme në bankat komerciale janë jashtëzakonisht të shtrenjta, të krahasuara me pagat ekzistuese.

Ai tregon se përveç mirëmbajtjes së llogarisë së tij, për të tërhequr para ose për të marrë pagën në sportele brenda bankës duhet të paguajë tarifë 2.50 euro, si dhe 1 euro paguan edhe kur bën pagesat e faturave të shërbimeve komunale.

“Tarifat janë jashtëzakonisht të shtrenjta. Për të paguar një ndëshkim për komunikacion në vlerë prej 20 euro, banka, në emër të provizionit, të marrë 3 euro. Kurse, për një faturë për kurs të gjuhëve të huaja, paguaj 2.50 euro. Këto tarifa duhet të lirohen, sepse pagat në Kosovë janë të ulëta”, tha Abdullahu për radion Evropa e Lirë.

Mbi 65 milionë euro profit nga tarifat dhe komisionet

Bankat komerciale në Kosovë vetëm nga tarifat, komisionet dhe të ardhurat e tjera operative, gjatë vitit të kaluar kanë regjistruar profit në vlerën 65.5 milionë euro, pa llogaritur të hyrat nga interesi për kredi.

Tarifat për shërbime janë larta dhe ato duhet të rishikohen nga zyrtarë të bankave, thotë edhe profesori i ekonomisë në Kolegjin UBT, njëherësh ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi. Ai vlerëson se tarifat duhet të jenë objektive, të arsyeshme dhe në funksion të zhvillimit të sistemit bankar.

“Normal që pjesë e rëndësishme e tarifave është konkurrenca bankare. Secila bankë, përmes konkurrencës mundohet të jetë më e mira në treg, duke i rishikuar tarifat”, thotë Rexhepi.

Të gjitha institucionet financiare në Kosovë e kanë obligim ligjor që në ueb-faqet e tyre zyrtare të publikojnë listën e çmimeve të tarifave. Në disa nga bankat komerciale shihet se qytetarët duhet të paguajnë deri në 2.50 euro për tërheqje të mjeteve dhe deponim, ndërkaq për transferet me urgjencë, tarifa paraqitet 5 euro. Këto tarifa, në disa raste janë më të larta për bizneset.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.