Murati thotë se performanca ekonomike sivjet do të jetë më e mirë se në dy dekadat e fundit
Foto: Laura Hasani

Murati thotë se performanca ekonomike sivjet do të jetë më e mirë se në dy dekadat e fundit

Ekonomia June 14, 2021 - 12:17

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati tha se presin që këtë vit të kenë performancën më të mirë ekonomike në dy dekadat e fundit.

Ai tha se rruga e vetme për të dalë prej situatës emergjente në mënyrë që të krijohen parakushtet për rimëkëmbje ka qenë vënia në kontroll e numrit të të infektuarve.

“Ne që në fillim të mandatit e kemi bërë këtë diferencimin në mes intervenimit emergjent dhe rimëkëmbjes. Rimëkëmbje pa përfundim të pandemisë nuk mund të ketë. Presim që këtë vit që me ardhjen e mërgatës të kemi performancën më të mirë ekonomike në dy dekadat e fundit.

Sa i përket rimëkëmbjes dhe rishikimit të buxhetit duhet të theksohet se shpenzimi i buxhetit i është dedikuar Qeverisë, ne jemi në përgatitje dhe shumë shpejt do ta sjellim në Kuvend. Ka qenë e pamundur rimëkëmbja pa e ditur hapësirën fiskale, por tash bashkë me rishikimin e buxhetit shumë shpejt paralelisht do t'i kemi të dyja, edhe rishikimin, edhe rimëkëmbjen.

“Sa u përket masave të qeverisë së kaluar, as nuk ka pasur hapje, as mbyllje, numrat kanë qenë rekord e mjetet është parë se kujt i kanë shkuar. Ne e kemi marrë qeverisjen me numra enormë të infektimit dhe me ndërhyrje minimale në pengim të ekonomisë kemi arritur ta sjellim situatën këtu ku është, nga 13 mijë raste aktive në rreth 400″. /EO