Hajdari i frikësohet arbitrazhit nëse e shkëput kontratën për markimin e naftës, çfarë do të bëjë ajo me rastet tjera të njëjta?

Hajdari i frikësohet arbitrazhit nëse e shkëput kontratën për markimin e naftës, çfarë do të bëjë ajo me rastet tjera të njëjta?

Ekonomia June 16, 2021 - 11:06

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se nuk do të mund ta shfuqizojë udhëzimin adminstrativ të nënshkruar nga paraardhësi i saj, Vesel Krasniqi, që mundësoi krijimin e monopolit për markimin e naftës. Ajo tha se megjithatë, do të punojë për këtë.

Udhëzimi në fjalë ishte nënshkruar më 2020 dhe në të kishte një klauzolë të veçantë. Në të ishte përfshirë arbitrazhi ndërkombëtar, në rast të shkeljes së kontratës nga njëra palë.

“Për shkak që kontrata është me klauzolë arbitrazhi ne nuk kemi mundur ta shfuqizojmë udhëzimin administrativ të jashtëligjshëm komplet, por pjesërisht. Por, me ligjin e karburanteve të lëngëta të naftës ne do ta akomodojmë tërësisht përmirësimin e tregut të naftës në Kosovë”, ka thënë ajo gjatë një raportimi për punën njëvjeçare të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, para komisionit përkatës mbikëqyrës parlamentar këtë të martë, tranmeton Klankosova.tv.

Kjo është një rast i rrallë kur Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë e përmend “frikën” nga arbitrazhi në çështjen e kontratave të kësollojta, ku kjo klauzolë përfshihet. Mbase për faktin se është në pyetje nafta. Diçka e tillë nuk është përmendur në çështjen e homologimit, kontrata për të cilin e ka po ashtu klauzolën e arbitrazhit.

Edhe këtu parashihet që në rast të shkëputjes së njëanshme të kontratës nga shteti, Kosova mund të përfundojë në një arbitrazh ndërkombëtar, me gjasa të mëdha për të humbur miliona para. Dihet se nuk janë të pakta kontrata tjera që e kanë të përfshirë klauzolën e arbitrazhit.

Hajdari nuk tregoi se çfarë do të bëhet edhe në këto raste, por u deklarua vetëm në çështjen e monopolit për markimin e naftës.