Kosova përfitoi miliarda euro nga remitencat

Kosova përfitoi miliarda euro nga remitencat

Ekonomia June 16, 2021 - 15:23

Për 13 vjet, Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitenca. Këto mjete financiare që dërgojnë qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit, te familjet e tyre, nuk kanë munguar edhe gjatë pandemisë me COVID-19.

Gjashtëmbëdhjetë qershori shënon Ditën Ndërkombëtare të Remitencave Familjare. Në këtë ditë njihet kontributi i mbi 200 milionë migrantëve punëtorë, grave dhe burrave, që dërgojë para për mbi 800 milionë familjarë.

Në Kosovë, në vitin 2020, vlera e remitencave, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ishte rreth 940 milionë euro. Kurse në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e remitencave kap shumën e mbi 200 milionë eurove.

Remitencat në Kosovë paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore.

Mirjeta Nura ka 30 vjet që jeton dhe punon në Bazel të Zvicrës.

Ajo thotë se ndihma për familjarët e saj në Kosovë nuk ka munguar asnjëherë përgjatë këtyre viteve.

“Unë ju dërgoj para gjyshërve të mi. Çdo vit dërgojmë, gjithmonë ju ndihmojmë. Paratë i dërgoj çdo dy apo tre muaj. Nuk kam bërë ndonjë përllogaritje se sa para kam mundur t’i dërgoj gjatë kësaj kohe, por mund të them se çdo dy apo tre muaj i dërgoj nga 300 euro”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë

Remitencat, në konsum dhe patundshmëri

Përgjatë viteve, remitencat kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

Pjesa më madhe e remitencave, sipas të dhënave të BQK-së, shkojnë për konsum, pastaj në investime, kryesisht në blerje të patundshmërive.

Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në organizatën “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se remitencat kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në kuptimin e mirëmbajtjes së paqes sociale.

“Remitencat duhet të trajtohen edhe në aspekte tjera, siç janë kostoja e lartë e transfereve të remitencave, gjithashtu kanalet në të cilat shpenzohen këto remitenca. Pavarësisht shumës së lartë të remitencave, një shumë e madhe e tyre shpenzohen për konsum të brendshëm, që nënkupton se ndikimi nuk është shumë i madh sa mund të jetë, pasi që Kosova ka një bilanc të pafavorshëm tregtar dhe shumica e produkteve të shportës së konsumit të brendshëm, vijnë nga importi”, thotë ai.

Mbi 65 për qind e kosovarëve varen nga remitencat

Radio Evropa e Lirë përmes, një ankete të publikuar në ueb-faqen e saj vitin e kaluar pati pyetur qytetarët se sa varen ata nga remitencat. Në këtë anketë, 68 për qind e pjesëmarrësve kanë deklaruar se varen nga këto para.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.

Qytetarët e Kosovës kryesisht jetojnë në numër më të madh në Gjermani dhe në Zvicër dhe remitencat kryesisht, sipas të dhënave të BQK-së, dërgohen nga këto vende.

Remitencat, shton Krasniqi, kanë pasur edhe efektin negativ, pasi që njëfarë formë, në disa raste kanë krijuar një varësi të rrejshme të familjeve që dikush duhet të punojë dhe kontribuojë për ta, dhe nuk i ka motivuar, sidomos të rinjtë, që të gjenden në tregun e punës.

Ai thotë se është e rëndësishme që të rritet edukimi financiar te pranuesit e remitencave, në mënyrë që të kenë informacion se si mund të rritet ndikimi i remtencave në ekonominë e vendit.

“T’i riorientojmë remitencat përmes rritjes së edukimit të pranuesve dhe krijimit të mekanizmave institucionalë që ulin koston për dërguesit dhe në anën tjetër, të krijohen mundësi për krijimin e mekanizmave, si fonde të ndryshme investive apo bonot e diasporës, që do të përdoreshin për investime kapitale në Kosovë”, thotë Krasniqi.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU