Shqipëria vendos embargo për katërmbëdhjetë shtete, shkak gripi i shpendëve

Shqipëria vendos embargo për katërmbëdhjetë shtete, shkak gripi i shpendëve

Ekonomia June 18, 2021 - 13:13

Qeveria shqiptare ka vendosur embargo të shpendëve për katërmbëdhjetë shtete, pas konfirmimit se gripi i shpendëve është prezent në disa vende.

Shtetet janë: Polonia, Sllovakia, Hungaria, Gjermania, Ukraina, Çekia, Rumania, Bullgaria, Belgjika, Kroacia, Danimarka, Franca, Holanda dhe Italia.

Shqipëria nuk do të lejojë hyrjen, qoftë edhe tranzit, të shpendëve të gjalla shtëpiake dhe të egër, zogjve 24-orësh, shpendëve dekorativë ose materialeve të tyre, si dhe prodhimet si mish, vezë ose çdo nënprodukt i tyre nga shtetet e lartpërmendura.

Kujtojmë se mbrëmjen e 8 qershorit u konfirmuan tri vatrat e para në Fushë-Krujë, Bujan dhe Dajt, ndërkohë që dy ditë më vonë Ministria e Bujqësisë bëri me dije se numri i vatrave është shtuar edhe me gjashtë të tilla, në: Garunj, Shijak, Luzi i Vogël, Suç Bërzhita, Paskuqani.

Apeli i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe mbrojtjes së Bimëve për qytetarët është respektimi i protokolleve dhe kushteve të ruajtjes së shpendëve që të mos kontaminohen nga ky virus.

“Është thelbësore që këta banorë që mbajnë shpendë në mjedise të hapura, të evitojnë mundësinë e kontaktit të shpendëve me njëritjetrin apo me shpendët e egër, por gjithashtu dhe të minimizojnë tregtimin dhe për këtë Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka nxjerrë dhe një urdhër që kufizon dhe e ndalon tregtimin e shpendëve në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla. Kontakti i ngushtë, mospasja parasysh e kritereve dhe standardeve të higjienës pas prekjes së shpendëve të gjallë apo të ngordhur, patjetër që mund të përbëjë një rrezik”, thotë drejtoresha, Tana Kika. /TCH