Kosova nuk plotëson as 40% të kërkesave të tregut me grurë, importon nga Serbia
Foto ilustruese

Kosova nuk plotëson as 40% të kërkesave të tregut me grurë, importon nga Serbia

Ekonomia July 21, 2021 - 18:21

Kosova ka nisur në të gjithë territorin fushatën e korrjeve. Edhe pse këtë vit ka më shumë grurë të mbjellë, mbi 68 mijë hektarë ose 6 mijë hektarë më shumë se viti 2020, rendimenti mesatar është 4 mijë kilogramë grurë, pra mbi 500 kilogramë më pak se viti i kaluar. Ky proces ku janë përfshirë 1400 autokombajna, sipas Ministrisë së Bujqësisë do të përfundojë në fillim të muajit gusht.

Edhe pse gruri është kultura bujqësore kryesore në Kosovë dhe zë pjesën më të madhe të sipërfaqes së mbjellë, sërish nuk plotëson kërkesat e tregut. Autoritetet arsyetojnë se kushtet e motit kanë ndikuar në prodhimin e ulët, por fermerët janë të kënaqur me cilësinë e grurit.

“Kemi korrur, por sivjet nuk ka rendimente të mira si vitet e kaluara. Pra, shumë dobët, edhe për shkak të lagështisë dhe të ftohtit në pranverë. Po ashtu, këto ditë temperaturat e mëdha kanë ndikuar që kokrrat e grurit të mbeten më të imëta”, thotë Faik Verbovci, fermer.

Drejtuesi i politikave bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqi thekson se pjesa më e madhe e zonave të mbjella janë korrur, por ende nuk mund të bëhet bilanci i përgjithshëm për të parë se sa për qind të kërkesave të tregut mund të mbulohet.

“Sipas informacioneve që kemi, rendimentet aktualisht për këto sipërfaqe që janë korrur deri më tani është 4000 deri 4200 kilogramë. Megjithatë, ka parcela dhe sipërfaqe ku rendimentet kanë arritur deri në 7000 kilogramë. Mirëpo, finalen do ta dimë vetëm kur bëhet raporti përfundimtar i realizimit të korrjes. Në Rrafshin e Dukagjinit mund të themi që janë korrur mbi 70 për qind e sipërfaqeve, ndërsa në Prizren dhe Suharekë mbi 90 për qind e më shumë, ndërsa në Rrafshin e Kosovës vetëm se ka filluar. Nëse e themi në total, diku rreth 35-40 për qind në nivel vendi është korrur”, shprehet Isuf Cikaqi, drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë.

Fermerët ankohen se nuk kanë leverdi të kultivojnë grurin, për shkak të çmimit të ulët të këtij produkti dhe mos shpalljes së programit për subvencione për vitin 2021. Fermeri Besim Rexha u shpreh se përkrahja financiare e shtetit sivjet ka munguar.

“Sivjet nuk kemi asgjë hiç, kurrfarë mbështetjeje. Subvencionet ende nuk i kemi marrë”, shton fermeri Faik Verbovci.

Për këtë shqetësim të fermerëve, drejtuesi i politikave bujqësore në Kosovë, Isuf Cikaqi premtoi se deri javën e ardhshme do të ekzekutohen të gjitha subvencionet për fermerët.

“Kjo çështje është shqetësuese dhe prioritare për institucionin tonë dhe qeverinë. Pjesa e mbetur e subvencioneve të papaguara të vitit të kaluar për shkak të kushteve dhe rrethanave të krijuara që tashmë dihen për opinion, janë në fazën finale dhe besojmë që brenda pak ditëve do t’i përfundojmë të gjitha. Ndërsa, për pjesën tjetër të hartimit ose shpalljes së programit për subvencione jemi në bisedime edhe me qeverinë dhe të shohim si do të veprohet dhe pastaj do të ketë njoftim publik”, u shpreh z. Cikaqi.

Ministria e Bujqësisë ka disa vjet që subvencionon me nga 150 euro për një hektar fermerët e grurit, ndërsa Kosova sipas njohësve të kësaj fushe nuk siguron prodhim të grurit më shumë se 35 për qind të nevojave të popullatës. Kurse, pjesa tjetër mbulohet nga importi, kryesisht nga Serbia.

Në shkurt dhe qershor të këtij viti, janë marrë dy aksione nga njësitet policore në Ministrinë e Bujqësisë, ku janë arrestuar rreth 30 zyrtarë të kësaj ministrie si të dyshuar për shpërdorim detyre në ndarjen e subvencioneve dhe granteve. /euronews