Fermerëve të Prishtinës u shpërndahen pako për mbështetje bujqësore

Fermerëve të Prishtinës u shpërndahen pako për mbështetje bujqësore

Ekonomia July 23, 2021 - 15:33

Në kuadër të projektit “Zhvillimi i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës ekonomik rural” (SIRED), sot u bë shpërndarja e pakove për mbështetje bujqësore për fermerët në regjionin e Prishtinës, që vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të Komunës së Prishtinës me Zyrën Austriake për Bashkëpunim dhe Caritas-in Zviceran në Kosovë.

Pjesë e ceremonisë ishin edhe fermerët nga regjioni i Prishtinës, si dhe shoqata nacionale “Mjedra e Kosovës” dhe “EuroFruti” si partnerë të projektit.

Përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës nga Drejtoria e Bujqësisë, Fexhri Hyseni, ka thënë se bashkëpunimi në mes të Agjencisë Austriake për Bashkëpunim dhe Caritas-it Zviceran dhe Komunës së Prishtinës po vazhdon dhe se përkrahja e sektorit të mjedrave dhe fermerëve në Komunën e Prishtinës do të jetë një shembull i mirë që ka potencial për zhvillim të sektorit të bujqësisë.

Në anën tjetër, drejtoresha e Zyrës Austriake për Bashkëpunim, Sandra Horina, është shprehur se qëllimi i projektit ka qenë dhe vazhdon të jetë “përkrahja e agrikulturës, por edhe ofrimi i përkrahjes për njerëzit për gjenerim të të hyrave vetanake, si dhe ofrimi i ndihmës për familjet që të qëndrojnë dhe kontribuojnë në këtë vend”. /Zëri