Bankimi islam në Kosovë pa kamatë, por jo pa fitim
Foto: imrankadir/Shutterstock.com

Bankimi islam në Kosovë pa kamatë, por jo pa fitim

Ekonomia July 29, 2021 - 17:49

Tri institucione mikrofinanciare islame në Kosovë lëshojnë kredi pa kamatë për klientët e tyre, por me fitim për ta. “Start”, “TIMI Invest” dhe “Pro Finance Home”, janë institucione të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës (BQK).

Zyrtarë të kësaj banke pranojnë se “Start” dhe “TIMI Invest” janë të regjistruara si institucione që ofrojnë shërbime financiare islame. Njëri ka licencë të funksionojë si institucion mikrofinanciar (IMF) dhe tjetri si institucion financiar jobankar (IFJB).

“Ato janë regjistruar, kanë licencë për të kryer veprimtarinë e kredidhënies dhe praktikojnë shërbime financiare me parime islame”, thuhet në një përgjigje të BQK-së.

Numri aktual i klientëve në “Start” dhe “TIMI Invest” është mbi 700, derisa vlera e kredive të mbetura arrin në mbi pesë milionë euro.

Edhe institucioni jobankar “Pro Finance Home” është i licencuar në BQK, por nuk specifikohet që ofron sherbime financiare islame. Megjithatë, njëri nga aksionarët e këtij institucioni, Vedat Salihu, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se edhe ata merren me shërbime financiare islame.

Institucionet mikrofinanciare (IMF), veprimtari primare e kanë dhënien e kredive dhe ofrimin e një numri të kufizuar të shërbimeve financiare. Kurse, institucioni financiar jobankar (IFJB) është i angazhuar në dhënien e kredive, hyrjen në hua dhe kontrata qiradhënieje financiare - lizingu, në nënshkrimin, tregtimin, ndërmjetësimin ose shpërndarjen e letrave me vlerë.

Qëllimet e këtyre institucioneve

Institucioni mikrofinanciar “Start” është themeluar dhe regjistruar në BQK në vitin 2002. Informacionet mbi këtë institucion janë të pakta në internet. Në rrjetin social Facebook, institucioni në fjalë nuk ka informacione për qëllimin dhe veprimtarinë, ndërsa faqja zyrtare nuk i funksionon. “Start” është i regjistruar si institucion mikrofinaciar me kapital të huaj.

Sipas Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ky institucion ka 498 kredimarrës me mbi 2.7 milionë euro kredi të mbetura.

Përpjekjet e Radios Evropa e Lirë që të kontaktojë ndonjë zyrtarë të këtij institucioni, kanë rezultuar pa sukses.

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.