Çmimi i kafes në disa qytete ngrihet pas masave të reja – INDEP: Kjo ndalohet kategorikisht me ligj

Çmimi i kafes në disa qytete ngrihet pas masave të reja – INDEP: Kjo ndalohet kategorikisht me ligj

Ekonomia September 13, 2021 - 12:29

Me ashpërsimin e masave anti-COVID dhe uljen e kapaciteteve për pranim të klientelës nëpër kafene, çmimi i kafes është rritur në disa qytete të vendit nga 50 centë në 70 centë.

Lidhur me këtë ka reaguar Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Fatbardha Restelica, nga INDEP-i, në një deklaratë për “Ekonominë Online”, tha se ankesat nga konsumatorët kanë ardhur nga disa qytete si: Mitrovica, Lipjani dhe Shtimja.

Për këtë ngritje të çmimit ajo thotë se ka edhe një marrëveshje, për çka është e ndaluar me ligjet në fuqi.

“Një nga produktet që konsumohet më së shumti në vendin tonë është kafja. Qytetarët i përdorin kafenetë edhe si mundësi për shoqërim e të relaksohen si aktivitet kryesor që në vendin tonë ndodh. Andaj kemi pasur shumë raportime nga qytete të ndryshme të Kosovës për çmime të dakorduara ku çmimi i kafes është ngritur”.

“Me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës të cilin e zbaton Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Neni 4 flet për marrëveshjet e ndaluara, e cila në mënyrë të tërthortë ose të drejtpërdrejtë ngrit çmimin e njëtrajtshëm. Kemi pasur lajme nga Mitrovica, Lipjani dhe qyteti i Shtimes, të cilët kanë thënë se shoqatat e gastronomëve të atyre qyteteve kanë ngritur çmimet në mënyrë të dakorduar, ani pse kjo ndalohet me ligj”.

Tutje, ajo tha se kjo rritje i dëmton tej mase konsumatorët, sepse edhe ashtu ata janë të dëmtuar ekonomikisht, shkruan EO.

“Konsumatorët përpos që kanë qenë shumë të dëmtuar ekonomikisht gjatë pandemisë, ku shumica e bizneseve nuk kanë punuar, rrjedhimisht as qytetarët nuk kanë pasur të ardhura ekonomike. Në ndërkohë që këto çmime e dëmtojnë konsumatorin që edhe ashtu ka të ardhura të reduktuara materiale, dhe konsumatori po varfërohet”, përfundoi Restelica.