ATK-ja nis me publikimin e të dhënave

ATK-ja nis me publikimin e të dhënave

Ekonomia September 15, 2021 - 13:27

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar nëpërmjet një komunikate për media se ka filluar publikimin e të dhënave, të dhëna këto të cilat pasqyrojnë performancën e punës si dhe gjobat e shqiptuara ndaj tatimpaguesve.

“Me qëllim të rritjes së transparencës dhe përmirësimit të komunikimit dhe besueshmërisë në raport me tatimpaguesit, Administrata Tatimore e Kosovës ka filluar publikimin e të dhënave, të cilat pasqyrojnë performancën e punës në trajtimin e vendimeve të ankesave të tatimpaguesve, si dhe gjobat e shqiptuara ndaj tatimpaguesve nga denoncimet e qytetarëve”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

Sipas ATK-së, hapja e këtyre të dhënave është një tregues i rëndësishëm në rritjen e mëtejme të besueshmërisë ndaj ATK-së.

“Hapja e këtyre të dhënave është indikator i rëndësishme në rritjen e mëtejme të besueshmërisë së publikut ndaj institucionit të ATK-së, rritjen e llogaridhënës dhe transparencës në të njëjtën kohë dhe ruajtjen e integritetit. ATK-ja do të vazhdojë edhe më tej që të hapë të dhëna të tjera, të cila nuk janë të kufizuara me ligj, e të cilat si statistika dhe raporte do t’i ndihmojnë qytetarët dhe çdo palë tjetër të interesuar që të informohen më shumë rreth çështjeve të ndryshme tatimore, ekonomisë në përgjithësi, si dhe krahasimin e zhvillimit të ATK-së ndër vite”. /Zëri