Pacolli: Falimentimi i termocentralit me qymyr në Sostan të Sllovenisë duhet të jetë mësim për Kosovën

Pacolli: Falimentimi i termocentralit me qymyr në Sostan të Sllovenisë duhet të jetë mësim për Kosovën

Ekonomia September 15, 2021 - 14:58

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova duhet të nxjerrë mësim nga falimentimi i termocentralit me qymyr në Slloveni.

Sipas tij, ky termocentral ishte ndërtuar në vitet e fundit dhe po në të njëjtën kohë u vu edhe në punë.

“Termocentrali me qymyr në Šoštan, Slloveni, ‘TES 6’, me 600 mgw u ndërtua dhe u vu në punë vitet e fundit. Që nga fillimi i operimit , ky objekt ka gjeneruar vetëm humbje të paktën 50 milionë eurosh çdo vit”, ka shkruar Pacolli në një postim të tij në rrjetin social Facebook.

Ai ka thënë se falimentimi i këtij gjiganti në Slloveni është një mësim i vlefshëm për vendet në Evropë Juglindore, të cilat, sipas tij, ende po tregojnë shenja për të bërë gabime të ngjashme (si Sllovenia) me projekte të tilla. /Zëri

Postimi i plotë i Pacollit:

Një informatë për ta analizuar mirë!

Termocentrali me qymyr në Šoštan, Slloveni, "TES 6", me 600 mgw u ndërtua dhe u vu në punë vitet e fundit. Që nga fillimi i operimit , ky objekt ka gjeneruar vettëm humbje të paktën 50 milionë eurosh çdo vit. Humbjet me të madhe janë gjeneruar nga ndëshkimet dhe taksat për ndotjen e ambientit. Ky objekt dje u sanksionua me mbyllje, gjithashtu për shkak të ndalimit të ndotjes së matutejshme të mjedisit që nuk është në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian.

Në qarqet financiare evropiane, të tilla si Banka Evropiane e Investimeve dhe IBRD (të cilat e kishin financuar këtë objekt), janë humbësit më të mëdhenj ku thuhet se ishte një "përvojë e hidhur" që nuk do të përsëritet.

TEŠ 6 është një shembull i mirë i asaj që mund të ndodhë kur një projekt shtyhet përpara për të kënaqur interesat e ngushta, pa transparencën e duhur dhe pjesëmarrjen e gjerë të publikut.

Kjo ilustron gjithashtu faktin se linjitit si një ndotës kryesor, pa kalori të mjaftueshme i ka kaluar kohën duke pasur parasysh burimet alternative (veçanërisht atë të gazit për të cilën kam folur që nga viti 2006).

Falimentimi i këtij gjiganti në Slloveni është një mësim i vlefshëm për vendet në Evropë Juglindore të cilat ende po tregojnë shenja për të bërë gabime të ngjashme (si Sllovenia) me projekte të tilla.