Përfaqësuesit e sektorit privat ia adresojnë shqetësimet e tyre Lajçakut

Përfaqësuesit e sektorit privat ia adresojnë shqetësimet e tyre Lajçakut

Ekonomia September 17, 2021 - 16:53

Komuniteti i biznesit është shumë i rëndësishëm për stabilitetin politik dhe publik, bizneset në Kosovë ndajnë dëshirën për të ecur përpara dhe larg status quos. Bashkëpunimi ekonomik rajonal mund të përmirësojë shumë gjendjen aktuale ekonomike në vend.

Kjo u tha gjatë takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Odën Ekonomike të Kosovës.

Lajçaku deklaroi se dialogu Kosovë-Serbi ka çuar në shumë përfitime sa i përket ekonomisë dhe tregtisë në Kosovë. Sipas tij, dialogu i ka lejuar Kosovës që të ushtrojë kontroll më të madh mbi kufijtë e saj, duke mbledhur në mënyrë efektive tarifat.

“Vetëm në muajin e parë të vitit 2021, ka pasur një rritje prej 25% të të ardhurave nga tregtia në Kosovë”, tha Lajçaku në këtë takim.

Për më tepër, zyrtari i BE-së ngriti rastin e kodit të telefonisë së Kosovës, që do të thotë se ne nuk duhet të paguajmë Slloveninë për të përdorur kodin e tyre, si dhe krijimin e kontrollit tonë të energjisë, i cili i mundëson Kosovës të mbledhë tarifat e transitit.

Ai po ashtu tha se krijimi i tregut të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor është prioritet i Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesit e sektorit privat, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi, Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) Arian Zeka, Sytrime Dervisholli nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Armend Malazogu nga kompania “Cacttus” dhe Alajdin Fusha nga kompania ABI, shprehën mbështetjen e tyre për dialogun që po ecën përpara për të mundësuar bashkëpunimin ekonomik në rajon.

Sipas një komunikate nga OEAK-ja, bashkëpunimi rajonal, siç u shpreh nga pjesëmarrësit, është një nga mënyrat kryesore për të tërhequr investime të huaja direkte.

“Kosova përballet me shumë sfida përpara, njëra prej tyre janë pengesat për tregtinë. Për më tepër, rëndësia e lëvizjes së lirë të njerëzve, shërbimeve dhe mallrave”, u theksua në takim, njofton OEAK.

Në takim u theksua gjithashtu shqetësimi për mbetjen e izoluar të Kosovës për shkak të mosliberalizimit të vizave. Përderisa dialogu ka sjellë shumë përfitime, ka pasur rezerva të përcjella nga pjesëmarrësit se dialogu ndonjëherë mund të bëhet maskim për mos adresimin e çështjeve reale me të cilat ballafaqohet Kosova, përfshirë edhe barrierat tregtare.

Lajçaku shprehu gatishmërinë e tij për të adresuar të gjitha shqetësimet e shprehura gjatë takimit. Ai shpjegoi se një qasje pragmatike për të adresuar në mënyrë adekuate shqetësimet është përmes dialogut duke theksuar kështu rëndësinë e mbështetjes nga komuniteti i biznesit për dialogun. /Zëri