Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2021, shumë shifra mes muajsh

Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2021, shumë shifra mes muajsh

Ekonomia October 07, 2021 - 08:33
Qeveria e Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës e Banka Botërore ndër muaj të ndryshëm kanë pasur projeksione të ndryshe. Një ecje nëpërmes muajsh, deri tash kur Banka Botërore po parashikon rritje ekonomike prej 7,1 për qind.

Rritja ekonomike në Kosovë gjithmonë ka qenë mes 3 dhe 5 për qind. Në fillim të vitit ishte parashikuar që rritja ekonomike të ishte 5,2 për qind.

Projeksioni i Bankës Botërore në qershor të këtij viti thoshte se rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2021 pritej të ishte 3,7 për qind. Megjithatë, projeksionet e Qeverisë së Kosovës në qershor krijonin një dallim të madh mes, pasi vetë kryeministri pati thënë që pritet 7,9 për qind rritje ekonomike.

Në shtator të këtij viti ishte vetë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, që tha se projeksionet e tyre po e nxirrnin një rritje ekonomike 6,6 për qind.

“Relaksimi i masave që ndodhën gjatë 2021-s, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet nga vijnë diaspora, bëri që të kemi një rritje të ndejshme ekonomike në vend. Dhe parashikimet tona janë që rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 6,6%, edhe pse është subjekt i rishikimit, duke pasur parasysh, deri në fund të vitit se si rrjedh çështja që ka të bëjë me pandeminë, duke pasur parasysh që burim i krizës në Kosovë dhe në nivel botëror është pandemia dhe jo faktor të tjerë ekonomik. Gjithçka lidhet me pandeminë”, tha Mehmeti.

Deklarata e cila bëri që të kishte debat në publik ishte deklarata e ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se do të ketë një rritje prej 10 për qind.

““Kur e kemi marrë mandatin kemi projektuar një rritje prej 7,9 për qind, por duke marrë parasysh performacën e jashtëzakonshme në tremujorin e dytë dhe pritjet që do të janë në tremujorin e tretë, atë shifër duhet ta ripërshtatim edhe një herë në projeksion dhe ato të reja janë me siguri që do të janë mbi 10 për qind. Rritja ekonomike e projektuar deri në fund të vitit jemi të sigurt që do të tejkalojë shifra dyshifrore”, tha Murati.

Një institucion kredibil si Banka Botërore, me selinë e saj në Kosovë, të martën e 6 tetorit doli me një projeksion të ri. Tash projeksioni për rritje ekonomike është 7,1 për qind sipas BB-së.

“Aktiviteti ekonomik në Kosovë në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1 për qind, i nxitur nga rikthimi i vizitave të diasporës, masat mbështetëse fiskale dhe huadhënia më e lartë konsumatore”, thuhet në raportin më të ri të Bankës Botërore për ekonominë në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Ky raport konstaton se në planin afatmesëm Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes ekonomike të orientuar nga një produktivitet më i madh.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit Murati, i cili ka shkruar se ata kishin parashikuar diçka të tillë dhe askush s’ka besuar.

“Rritjen ekonomike prej 7,9% për vitin 2021 e kemi projektuar qysh para 4 muajsh, kur kemi përgatitur buxhetin e rishikuar. Dhe pakkush e ka besuar se një gjë e tillë ishte e mundshme. Megjithatë, që nga projeksioni ynë i para 4 muajve, situata ka ndryshuar përtej vlerësimeve tona fillestare, marrë parasysh aktivitetin e lartë ekonomik në tremujorin e tretë. Andaj na duhet të bëjmë një projeksion të ri për të përfshirë edhe të dhënat më të fundit, që doemos e vendosë rritjen ekonomike në terren dyshifror”, ka thënë Murati. /Zëri