ATK-ja njofton se nga një janari rikthehet TVSH-ja 16%

ATK-ja njofton se nga një janari rikthehet TVSH-ja 16%

Ekonomia December 28, 2021 - 11:25

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se nga një janari i vitit 2022 do të rikthehet TVSH-ja 16% për sektorin e gastronomisë, për të cilin sektor, sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, TVSH-ja ishte zbritur në 8%.

“Nga data 01.01.2022, furnizimet e mallrave dhe shërbimeve në veprimtarinë hoteliere, restorante dhe shërbime të ushqimit tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Po ashtu, ATK-ja njofton të gjithë tatimpaguesit e regjistruar për TVSH, duke u bazuar në Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID 19, për transaksionet e sigurimit dhe risigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore, me rastin e furnizimit të tyre nuk aplikojnë TVSH vetëm deri më datë 31.12.2021, me kusht që të kenë plotësuar kriteret e përcaktuara me vendim nga ministri i Bujqësisë.

Pas kësaj date këto furnizime tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin në fuqi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

“Pra, nga data 01.01.2022, transaksionet e sigurimit dhe risigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore, tatohen sipas normave të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, thuhet në njoftim. /Zëri