Trusti i Kosovës del “PLUS”, 227 milionë euro kthim nga investimet

Trusti i Kosovës del “PLUS”, 227 milionë euro kthim nga investimet

Ekonomia January 11, 2022 - 11:11

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e përmbylli vitin 2021 me rezultat shumë të kënaqshëm nga investimet, me kthimin bruto që kapi shumën prej 227 milionë euro. Kjo shifër nominale është më e larta prej themelimit të institucionit. Ndërsa rritja e çmimit të njësisë për këtë vit ishte 10,65%, duke e krahasuar me rritjen prej 3,03% për vitin 2020.

Sipas komunikatës së Trustit, në total mjetet pensionale u rritën me 365 milionë euro këtë vit, duke shkuar në 2.35 miliardë euro. Në fund të 2021-shit rreth 77% e mjeteve nën menaxhim ishin të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare, kurse pjesa tjetër në Kosovë - sipas kritereve të përcaktuara me ligj. Investimet në tregjet financiare ndërkombëtare vazhdojnë të kontribuojnë me rreth 95% në totalin e performancës investuese.

Këtë vit për pensionimin e 5.400 përfituesve u paguan 68 milionë euro, ndërsa prej themelimit janë shpaguar 321 milionë euro për 64 mijë përfitues.