Kurti: Subvencioni që kemi ndarë nuk mbulon të gjithë barrën e krizës energjetike

Kurti: Subvencioni që kemi ndarë nuk mbulon të gjithë barrën e krizës energjetike

Ekonomia January 19, 2022 - 15:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë Artane Rizavanollin, kanë mbajtur një konferencë për media, ku shpalosën qëndrimin e Qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Ndonëse konferenca u thirr për në orën 15:00, ajo nisi me rreth 25 minuta vonesë.

Kurti, në fjalën e tij, tha se ZRRE-ja e publikoi raportin konsultativ për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave.

Ai tha se diskutimi për tarifat s’e ka pasur qëllimin e informimit të drejtë të qytetarëve.

“Si pasojë e krizës energjetike në botë dhe si pasojë e avarive në KEK, ZRRE, përkitazi me kompetencat që i takojnë me ligj, ka filluar shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave. ZRRE-ja dhe Bordi janë të pavarur, prandaj as Qeveria nuk mund të interferojë”, tha në fillim Kurti.

Ai tha se heqja e bllok-tarifave ka qenë gabim shumë i madh, çka ka shkaktuar shumë dëme.

“Kjo krizë vetëm sa i ka theksuar problemet e trashëguara. Fatura që ne po paguajmë është ajo e mosveprimit prej rreth 2 dekadave. Jemi duke e ndier edhe vjetërsinë në njësitë tona gjeneruese. Institucionet kanë dështuar në të kaluarën që të informojnë qytetarët”.

“Në vend që të investohet në zgjerimin e ngrohjes qendrore, ata kanë aprovuar ndërtimin banesave që varen nga rryma. Çmimet e rrymës tregojnë se kriza do të zgjasë shumë më shumë sesa vetëm këtë dimër. Për të nivelizuar dëmet që u janë shkaktuar qytetarëve, Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të vërë në dispozicion 75 milionë euro subvencionim.

Kriza energjetike është shtrirë te të gjithë, ku nuk ka fitues, por vetëm nivele të ndryshme të dëmeve që si qeveri duhet të përpiqemi t’i sanojmë. E kemi thënë edhe më parë, por vlen të ritheksohet se janë dy faktorë kryesorë qe e kanë shkaktuar këtë krizë: njëri është i jashtëm, pasi Kosova, si shumë shtete, varen nga importi i energjisë elektrike. Faktori tjetër që është determinues është fakti se Kosova është lënë në mëshirë të tregtarëve të energjisë. Politikëbërësit e kaluar, nëpërmjet veprimeve e shpesh mosveprimeve, prioritet u kanë dhënë prodhuesve të tjerë të rajonit. Edhe pse në KEK nga paslufta janë investuar mbi 1 miliard euro, gjendja prodhuese është njësoj sikurse ajo kur kemi dalë pas luftës. Këto investime, nëse nuk ishte vjedhur pamëshirshëm, sot gjendja me prodhim e kapaciteteve do të ishte krejt ndryshe. Andaj, edhe këto nuk mund t’i quajmë mbi 1 miliard investime, por mbi 1 miliard mjete për KEK-un, ku një pjesë e konsiderueshme nuk mund të quhen investime. Nga 2015 është folur për ndërtimin e kapaciteteve të reja, e sikur kjo të ndodhte me kohë, sot nuk do të kishte nevojë për import, por përkundrazi, kriza energjetike do të mundë të sillte përfitime për prodhuesit vendorë. Investitorët seriozë janë përballur me pengesa joligjore. Trajtimi i KEK-ut si ndërmarrje kalimtare, e jo si aset i rëndësisë strategjike në vend, e ka lënë Kosovën në një gjendje të mjerueshme dhe gjendja në elektrana vazhdon të jetë e paparashikueshme. Tani që unë dhe ministrja Rizvanolli po u drejtohemi juve, masat që i kemi në dispozicion, nuk mund t’i japin zgjidhje probleme të shtresëzuara nëpër dekada. Por Qeveria ime ka për qëllim të adresojë efektin e menjëhershëm të krizës energjetike, por edhe atë afatgjatë. Nëse çmimi do të kishte rritje lineare, nuk do të ishim në këtë gjendje. E meqë kjo nuk ka ndodhur, ZRRE-ja ka sjellë një propozim para nesh. Çmimi i propozuar nga ZRRE-ja është barrë shumë e rëndë për qytetarin. Rrjedhimisht ne do të ndajmë 75 milionë euro subvencion për të mos u prekur amvisëritë që konsumojnë deri në 600 kwh në muaj dhe bizneset. Po ashtu kemi zvogëluar ndikimin nga rritja e çmimit të konsumatorëve shtëpiakë, që konsumojnë mbi 600 kwh, e subvencioni i Qeverisë në dispozicion e që nuk është e thënë se do të shpenzohet, do të zbusë dukshëm rritjen tarifore”, deklaroi Kurti.

Po planifikojmë të shpallim ankandet e para për ndërtimin e kapaciteteve të reja të pastra dhe si aksionarë të vetëm të KEK-ut, shtoi kryeministri.

Ai theksoi se subvencionimi i ndarë nga Qeveria nuk do të mbulojë të gjithë barrën e krizës energjetike. /Zëri