Bie vlera e bitcoinit dhe ethereumit
Foto: C-Trade

Bie vlera e bitcoinit dhe ethereumit

Ekonomia January 21, 2022 - 11:19

Kriptovalutat kanë pasur një fillim të zymtë të vitit dhe vazhdojnë të bien në vlerë pasi ekonomitë kryesore në mbarë botën kërkojnë të frenojnë popullaritetin e tyre në rritje.

Bitcoin ka rënë mbi 7% në 24 orët e fundit dhe po tregtohej me 39,097 dollarë që nga ora 3:00 e mëngjesit ET, sipas “CoinDesk”. Kriptovaluta më e vlefshme në botë ka rënë me mbi 15% që nga fillimi i vitit. Në nëntor ajo u tregtua me një rekord të lartë prej 68,990 dollarë, raporton CNN.

Kohët e fundit, valutat tjera digjitale kanë pësuar edhe më keq. Ethereum, e cila është kriptovaluta e dytë më e vlefshme në botë, ra pothuajse me 8% në 24 orët e fundit dhe tani po tregtohet me rreth 2,895 dollarë, sipas “CoinDesk”. Nga fillimi i janarit, vlera e tij ka rënë në pothuajse 20%, transmeton Zeri.info.

Investitorët janë të shqetësuar për valutat digjitale dhe asetet e tjera më të rrezikshme që kur Rezerva Federale e SHBA-së sinjalizoi se mund të zbusë stimulin ekonomik në mënyrë më agresive sesa pritej.

Edhe qeveritë po godasin. Të enjten, “Reuters”-i raportoi se banka qendrore e Rusisë ka propozuar një ndalim të përdorimit dhe mihjeve të kriptove. Rusia është një nga vendet më të mëdha të kripto-minierave në botë, por banka e saj qendrore tha se valutat digjitale mund të përbëjnë një kërcënim për stabilitetin financiar të vendit.

Propozimi rus vjen vetëm disa muaj pasi Kina nisi një shtrëngim në shkallë të plotë mbi kriptovalutat, duke ndaluar si tregtinë ashtu edhe mihjet.

Edhe vende të tjera po e ndalojnë kripton. Në nëntor, India tha se po përgatitej të prezantonte një projekt-ligj që do të rregullonte valutat digjitale, megjithëse ende nuk dihet shumë për atë propozim. Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Indisë Narendra Modi tha se nevojitet bashkëpunim global për të trajtuar problemet e paraqitura nga kritovalutat.

Edhe Kosova ka ndaluar prodhimin e kriptovalutave si masë për të kursyer energjinë elektrike në kohën kur vendi po përballet me krizë të thellë energjetike (shën. red.).

Megjithatë, jo të gjithë janë pesimistë. “Goldman Sachs” tha se çmimi i bitcoinit mund të arrijë më shumë se 100,000 dollarë brenda pesë viteve të ardhshme. Në një raport të publikuar në fillim të këtij muaji, analistët e bankës në fjalë thanë se parashohin fitime të forta në të ardhmen, sepse bitcoini do të vidhte gjithnjë e më shumë hisen e tregut nga ari. /Zëri