Çmimet e lëndëve të para të ndërtimit u rritën deri në 40% në Shqipëri

Çmimet e lëndëve të para të ndërtimit u rritën deri në 40% në Shqipëri

Ekonomia May 18, 2022 - 07:58

Çmimet e lëndëve të para të ndërtimit janë rritur me 20 deri në 40% që pas përfundimit të pandemisë dhe nisjes së luftës në Ukrainë.

Sipas të dhënave të tregut të shitjes së materialeve të ndërtimit në Shqipëri, vlera e një ton hekuri është rritur në 1050 euro nga 700 euro që kanë qenë në verën e vitit 2021, rritje në nivelin 33.3%.

Rritjen më të lartë e ka pësuar çmimi i çimentos, element kryesor në punët publike, si për ndërtimin e rrugëve, por dhe të banesave të dëmtuara nga tërmeti.

Çimentoja është rritur me 45%. Nga 66 euro për kuintal, çmimi ka arritur 148 euro.

Bitumi është rritur me 21%. Nga 45 euro për kilogram, vlera sot në treg ka arritur në 57 euro.

Tregtarët e shumicës thonë që rritja ka nisur që prej janarit të këtij viti dhe ka kulmuar me fillimin e konfliktit Rusi-Ukrainë.

Një pjesë e mirë e kompanive të mëdha ulën prodhimin gjatë pandemisë për shkak të kufizimit të numrit të personave që shkonin në punë, ndërsa më pas tregu përjetoi bllokim të rrjetit të transportit.

Lufta bëri që shumë shtete të kufizonin shitjen e këtyre materialeve, ndërkohë që Rusia është në 5 vendet më të mëdha në botë prodhuese të hekurit dhe bitumit. /euronews.al