Rriten për 45% çmimet e inputeve në bujqësi nga viti i kaluar

Rriten për 45% çmimet e inputeve në bujqësi nga viti i kaluar

Ekonomia August 12, 2022 - 10:22

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Inputeve në Bujqësi“ për tremujorin e dytë (TM2 2022).

Sipas këtij raporti, del se çmimet në bujqësi janë rritur për 45 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2022, indeksi i Input 1 ka rritje për 45.0%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Kurse, indeksi i Input 2 ka rritje për 11.1%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”, thotë ASK-ja, raporton Zeri.info.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input 1 + Input 2), sipas ASK-së, ka rritje për 28.3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

ASK-ja thotë se ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë.

Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.

Prodhimet që krijojnë bazë për Indeksin e Çmimeve të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).

Brenda grupit “Input 1”, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.

Kurse, sa i përket “Input 2”, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punë të tjera, përveç përmirësimit të tokës). /Zëri