Feronikeli shitet për 70 milionë euro, pronësia bartet tek Yildirim Group

Feronikeli shitet për 70 milionë euro, pronësia bartet tek Yildirim Group

Ekonomia September 21, 2022 - 14:01

Grupi BALFIN ka bartur të gjitha aksionet dhe pronësinë e kompanisë NewCo Ferronikeli te Grupi YILDIRIM.

Dy kompanitë kanë arritur marrëveshje në pjesën e parë të qershorit në vitin 2022 dhe përgjatë këtyre muajve kanë gëzuar bashkëpunim të ngushtë për një transferim të kujdesshëm duke mos shkaktuar ndikim te punëtorët dhe prodhimi.

YILDIRIM thotë se ka një plan biznesi konkret për ta zgjeruar prodhimin dhe për ta rritur biznesin e metaleve dhe minierave.

Në këtë frymë, YILDIRIM është i angazhuar që NewCo Ferronikelin ta shndërrojë në një prej kompanive më të mira të nikelit në Evropë. Ky plan biznesi do ta bëjë NewCo Ferronikel-in në një prej kompanive më të vlefshme të Grupit YILDIRIM.

NewCo Ferronikeli ishte bërë pjesë e Grupit BALFIN në korrik të vitit 2018. Me prodhim të ndërprerë dhe detyrime të shumta si dhe paga të papaguara të punëtorëve, Grupi BALFIN intervenoi për ta përmirësuar situatën financiare dhe nisi implementimin e një programi investiv në vlerë 30 milionë euro, i cili përmirësoi efikasitetin në prodhim.

NewCo Ferronikeli është një ndër prodhuesit më të mëdhenj të ferronikelit në Evropë. Kompania është aset i vlefshëm strategjik për Republikën e Kosovës, me rëndësi dhe impakt të lartë në makro-ekonomi. Kompleksi i NewCo Ferronikelit përfshin punishten me dy linja prodhimit si dhe depozitat e pasura minerare nën hapësirat përreth.

Me këtë blerje, YILMADEN Holding konsolidon investimet e Grupit YILDIRIM në sektorin e minierave dhe metaleve. Kompania renditet e katërta në botë në biznesin e kromit, e dyta në botë për prodhimin e ferrokromit me karbon të lartë (HC FeCr) dhe është e para në botë në segmentin e mineraleve të kromit me cilësi të lartë. Ka gjithashtu në pronësi edhe fabrika për prodhimin e koksit në Kolumbi dhe fabrikë metalurgjie të ferrovanadiumit dhe ferromolibdenit në SHBA, dhe projekte të hapura dhe nëntokësore të

qymyrit në Kolumbi.

YILMADEN punëson rreth 6,500 punëtorë dhe është prezente në tetë shtete të botës: Turqi, Kosovë, Suedi, Kazakistan, Rusi, Shqipëri, Kolumbi dhe SHBA. YILMADEN eksporton nga gama e saj e prodhimeve te klientë në 80 shtete të botës, përmes 20 qendrave të distribuimit gjithandej botës.

Me seli qendrore në Stamboll, Turqi, Grupi YILDIRIM është një prej grupeve industriale dhe infrastrukturore me rritjen më të shpejtë në Evropë. Është grup i diversifikuar mirë dhe aktiv në nëntë sektorë globalisht: kryesisht në sektorin e metaleve dhe minierave, operimin dhe menaxhimin e porteve, fertlizuesve dhe kemikaleve, energjisë, transportit dhe logjistikës, investimeve financiare dhe pronave private. YILDIRIM operon në 54 shtete në 5 kontinente, duke punësuar më shumë se 20,000 njerëz anembanë botës. /Zëri