Sogojeva: Rrezik të mbyllen 30% të bizneseve për shkak të gjendje së rënduar

Sogojeva: Rrezik të mbyllen 30% të bizneseve për shkak të gjendje së rënduar

Ekonomia October 06, 2022 - 12:12

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës (OHTK) ka paralajmëruar mbylljen e 30% e bizneseve për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në vend.

Kjo është thënë sot nga kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva, i cili ka pritur në takim kryetarët e njësive rajonale, ku është diskutuar për shumë çështje e problematika me të cilat po ballafaqohen bizneset në tërë Kosovën.

“Kryetarët e njësive rajonale janë shprehur shumë të shqetësuar për gjendjen aktuale me të cilën po ballafaqohen bizneset e sidomos me ngritjen e çmimeve, duke e argumentuar këtë me faktin se nga janari kosto e mallit është ngritur 42% e duke ia shtuar kësaj edhe problemet me të cilat bizneset do të përballen gjatë dimrit për shkak të paralajmërimeve për krizë energjetike”, thuhet në njoftimin e OHTK-së.

Më tej thuhet se “Qeveria ka paralajmëruar që na pret një dimër i vështirë, prandaj OHTK-ja kërkon që të gjendet mënyra që këto biznese të ndihmohen përndryshe së paku 30% e tyre rrezikojnë të mbyllen”.

Ata kanë kërkuar që Qeveria të gjejë mënyra për përkrahjen e bizneseve që të mbijetojnë e të mos mbyllen.

“OHTK-ja do të vazhdojë të jetë zë dhe përfaqësues i bizneseve para të gjithë institucioneve dhe mekanizmave të tjerë”, thuhet në fund të komunikatës. /Zëri