Kurti prezantoi buxhetin 109-milionësh për Komunën e Prishtinës për vitin 2023

Kurti prezantoi buxhetin 109-milionësh për Komunën e Prishtinës për vitin 2023

Ekonomia November 24, 2022 - 22:16

Buxheti për vitin 2023, ishte tema e takimit të Kryeministrit, Albin Kurti, me qytetarët e Komunës së Prishtinës.

Së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kryeministri Kurti prezantoi para qytetarëve disa nga projektet dhe nismat për vitin e ardhshëm, që kanë për qëllim rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin.

Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm është më i larti në historinë e Republikës sonë, dhe do të jetë në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro.

"Buxheti që i dedikohet qeverisjes lokale dhe komunave planifikohet të rritet për rreth 100 milionë €, nga 560 që ishte në vitin 2022 në 660 milionë € për vitin 2023. Për Komunën e Prishtinës, buxheti i planifikuar për vitin 2023 është mbi 109 milionë €", tha Kurti.

Ai veçoi disa nga projektet më me interes për qytetarët e kësaj komune që parashihen me buxhetin për vitin e ardhshëm në arsim, shëndetësi, siguri, kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore.

Prezantimi i buxhetit për vitin 2023 ka filluar nga dita e martë, në Komunën e Prizrenit, duke vazhduar dje në Mitrovicë, e do të prezantohet edhe në komuna të tjera, ku qytetarët do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë me Kryeministrin dhe ministrat, dhe të japin mendimet e tyre lidhur me buxhetin e vitit 2023.ë /Zëri