Prodhimet e fermerëve tash e 15 vjet eksportohen në tregjet e BE-së

Prodhimet e fermerëve tash e 15 vjet eksportohen në tregjet e BE-së

Ekonomia June 05, 2023 - 21:54

Produktet kosovare tash e sa vjet janë të kërkuara nëpër tregjet evropiane, kjo ka ndikuar që fermerët nëpër Kosovë të zgjerojnë të mbjellat e tyre dhe tregun evropian ta kenë të garantuar. Në këtë drejtim, prodhimet e fermerëve të Anadrinisë tash e 15 vjet janë duke u eksportuar në tregjet e Bashkimit Evropian.

Remzi Shala nga Qyshku i Pejës këtë vit ka mbjellë 10 ari me tranguj. Ai është i kënaqur me rendimentin që do të nxjerrë e përtej kësaj me faktin se tregun e ka të garantuar.

“Ne nuk e kemi problem tashmë shitjen e produkteve tona. Tek ne është problem puna tu bëhet produkteve deri në prodhim”, thotë fermeri Shala.

Një ndihmë fermerëve të kësaj ane për të plasuar produktet e tyre në tregun e huaj po u jep Qendra Grumbulluese e perimeve në Xërxë.

Feim Rexhepi nga Qendra Grumbulluese në Xërxe thotë se kualiteti i produkteve bujqësore i plotëson standardet evropiane.

Edhe pse deri më tash  temperaturat nuk kanë qenë të  favorshme sa duhet sipas ekspertëve të perimekulturës,  zhvillimi i bimëve është i kënaqshëm.

Hasim Hoxha, fermer dhe ekspert për perimekulturë thotë se edhe pse temperaturat ende nuk kanë pësuar ngritje prodhimet bujqësore janë mjaftë të mira.

Madje siç shprehet ai edhe pse më shumë produktet bujqësore në serra kanë zhvilluar vegjetacionin, nuk mungon as prodhimi i tyre.

Prodhimet e fermerëve të Anadrinisë tash e 15 vjet janë duke u eksportuar me mjaft sukses në tregjet e Bashkimit Evropian./rtk