Dorëzohet ministri Murati, komunave ua kthen mjetet financiare

Dorëzohet ministri Murati, komunave ua kthen mjetet financiare

Ekonomia June 08, 2023 - 18:19

Duket se ministri i Financave Hekuran Murati, është dorëzuar pas presionit të komunave dhe partive opozitare në lidhje me mjetet financiare të cila u kishte marrë disa komunave që nuk i kishin shpenzuar.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka njoftuar se këto mjete i janë kthyer nga sot komunave, transmeton Zeri.info.

Vlera e këtyre mjeteve është mbi 37 milionë euro.

“Mjetet financiare të komunave u kthehen komunave. Urime Prishtinë e urime kryeqytetas. Urime qytetarë të të gjitha komunave!

Nga sot, 37.5 milion euro të komunave u kthehen komunave, u kthehen atyre që u takojnë; i kthehen realizimit të projekteve për të mirën e kryeqytetasve dhe të qytetarëve të çdo komune. E drejta e komunave triumfoi. E drejta e qytetarëve për realizimin e projekteve të tyre triumfoi. Kjo e drejtë, ishte dhe është e drejtë e pakontestueshme e komunave, ngase është e garantuar me ligj dhe kushtetutë”, ka shkruar Gashi.

Deri tani nuk ka pasur një reagim nga Ministria e Financave në lidhje me kthimin e këtyre mjeteve. /Zëri