Kreu i ZRRE-së në Athinë, flet për tregun energjetik
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), njëherësh edhe president i Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë (ECRB), Ymer Fejzullahu, ka kryesuar takimin e 63-të të Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë, i cili u mbajt në Athinë.
“Takimi i Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë përfshiu çështjet kyçe rregullatore dhe zhvillimet më të fundit në sektorin e energjisë brenda Komunitetit të Energjisë. Diskutimet nisën me prezantimin e zhvillimeve të fundit nga ACER, vijuan me përditësimet e autoriteteve rregullatore të vendeve kontraktuese, si dhe me raportimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë mbi zhvillimet rajonale”, njofton ZRRE-ja.
Një pjesë e rëndësishme e agjendës iu kushtua edhe zhvillimit të mekanizmave rajonalë për menaxhimin e kapaciteteve të transmetimit, të cilët janë thelbësorë për garantimin e sigurisë së furnizimit dhe rritjen e efikasitetit të tregut rajonal të energjisë elektrike.
Në kuadër të takimit u mbajtën gjithashtu diskutime brenda grupeve punuese të ECRB-së, përfshirë atë për Konsumatorët dhe Tregjet me Pakicë, për Energjinë Elektrike, për Gazin si dhe për zbatimin e rregullores REMIT. Të gjitha grupet punuese në kuadër të ECRB-së prezantuan të arriturat gjatë këtij në ndërtimin e një tregu funksional dhe të qëndrueshëm, por edhe sfidat e tyre gjatë këtij viti.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE prezantoi para të pranishmëve edhe Programin e Punës së ECRB për vitin 2026, dhe në fund u miratua njëzëri nga gjithë anëtarët e ECRB.
Në fund kryesuesi i Bordit të ZRRE-së Fejzullahu falënderoi të gjithë anëtarët në kuadër të ECRB-së për punën dhe sukseset e arritura gjatë vitit 2025, dhe potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet palëve kontraktuese edhe gjatë vitit 2026 me qëllim të krijimit të një tregu energjetik transparent, konkurrues dhe të integruar.