Çmimet e banesave në Kosovë shënojnë ngritje 4.2 për qind krahasuar me 2024
Foto: Laura Hasani

Çmimet e banesave në Kosovë shënojnë ngritje 4.2 për qind krahasuar me 2024

Ekonomia December 04, 2025 - 15:58

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Agjencinë e Kadastrës së Kosovës, Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore të Kosovës, ka publikuar për herë të parë të dhënat për indeksin e çmimeve të pronave banesore në Kosovë.

Çmimi i pronave është rritur dukshëm nga 2018 deri 2025, veçanërisht në Prishtinë. Në nivel vendi, çmimet e pronave banesore, në tremujorin e dytë 2025 krahasuar me tremujorin e dytë 2024, ka pasur rritje 4.2 për qind. Rajoni i Prishtinës shënoi ngritje 6.5 për qind, ndërsa në rajonet e tjera 0.7 për qind.

Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati tha se ky është një raport i rëndësishëm për vendin dhe institucionet ndërkombëtare

“Sot, për herë të parë, ASK-ja e publikon një raport të rëndësishëm, jo vetëm për vendin, por edhe institucionet ndërkombëtare, sepse ky indeks është kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky indeks, është në bashkëpunim të ngushte me ekspertizën e Bankës Qendrore, Agjencinë e Kadastrës së Kosovës, Ministrinë e Financave. Ky indeks është në harmoni me protokollin e fondit monetar. Me këtë indeks i plotësojmë indekset e nevojshme, që kërkohen sipas kritereve standarde, është indeksi i tetë që e prodhojmë në fusha të ndryshme”, tha Kastrati.

Drejtori i Departamentit të statistikave ekonomike në ASK, Ilir Berisha shtoi se ky indeks është kërkuar nga qeveria në vitin 2023. Berisha tha se ka pasur edhe asistencë teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ka bërë vlerësimin e burimeve të mundshme të të dhënave.

“Ky indeks ka qenë kërkesë e Qeverisë në vitin 2023, në bazë të një marrëveshje të Fondit Monetar, e cila ka qenë pikë e veçantë. Fatmirësisht, kemi pasur një bashkëpunim ndërinstitucional dhe janë krijuar grupet punuese, kemi pasur edhe asistencën teknike eksperte nga FMN që ka bërë vlerësimin e burimeve të mundshme të të dhënave. Në vitin 2024 kemi pasur ngecje për shkak të prioritetit tonë për regjistrimin e popullsisë dhe më pas kemi vazhduar riformimin e grupit punues për këtë indeks”, tha Berisha.

Gëzim Ahmeti, zyrtar i statistikave të çmimeve, ka prezantuar indeksin e çmimeve.

“Në nivel vendi çmimet e pronave banesore, në tremujorin e dytë të vitit 2025 krahasuar me tremujorin e dytë të 2024, ka pasur rritje prej 4.2 për qind, kurse te rajoni i Prishtinës shënoi një rritje prej 6.5 për qind, ndërsa për rajonet e tjera ka pasur një ngritje prej 0.7 për qind. Kemi paraqitur ndryshimet vjetore në përqindje, ndryshimet mesatare duke filluar prej vitit 2019 – 2.1 për qind, 2020 – 0.2 për qind për shkak të pandemisë, 2021 – 2.4 për qind, 2022 – 4.5, 2023 3.7, 2024 – 4 për qind. Në bazë të këtij grafiku shohim se ka një trend rritës prej vitit 2018 deri më 2024 që ka arritur vlerën e indeksit prej 118.1 për qind”, tha Ahmeti.

Ndryshimet vjetore në rajonin e Prishtinës:

Rritja vjetore në përqindje, në Rajonin e Prishtinës, sipas tremujorëve ishte: TM1 2025 (11,3%); TM2 2021 (7,4%); TM4 2024 (7,3%); TM2 2025 (6,5%); TM3 2024 (6,1%); TM3 2022 (6,1%); TM4 2021 (6,1%); TM3 2021 (5,8%); TM2 2022 (5,1%); TM4 2022 (5,0%); TM3 2019 (5,0%); TM2 2023 (4,6%); TM1 2024 (3,4%); TM1 2022 (3,2%); TM1 2021 (2,7%); TM4 2023 (2,2%); TM2 2024 (2,0%); TM4 2019 (1,9%); TM1 2020 (0,9%) dhe TM1 2019 (0,4%).

Periudhat me rënie u vunë re në: TM2 2020 (-3,0%); TM3 2023 (-1,0%); TM4 2020 (-0,7%); TM2 2019 (-0,6%) dhe në TM3 2024 (-0,4%). Ndërsa, TM3 2020 mbeti i pandryshuar (0,0%).

Ndryshimet vjetor në rajonet e tjera të vendit:

Rritja vjetore në përqindje për rajonet e tjera të vendit, sipas tremujorëve ishte në: TM1 2023 (9,4%); TM4 2019 (9,0%); TM4 2022 (7,0%); TM3 2020 (6,0%); TM3 2022 (5,6%); TM2 2024 (5,3%); TM2 2022 (4,8%); TM4 2023 (4,7%); TM1 2020 (4,5%); TM2 2023 (4,5%); TM2 2019 (2,9%); TM3 2023 (3,3%); TM4 2024 (2,4%); TM1 2024 (2,3%); dhe TM1 2025 (2,2%).

Një rritje e moderuar pozitive u vu re në TM1 2019 (1,6%) dhe në TM3 2024 (1,4%). Periudhat me rënie u vunë re në: TM4 2020 (-6,5%); TM3 2019 (-2,6%); TM1 2021 (-2,3%); TM3 2021 (-2,3%); TM2 2021 (-0,7%) dhe në TM4 2021 (-0,1%). Kurse TM1 2022 mbeti i pandryshuar (0,0%).

Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) mat ndryshimet e çmimeve, duke përdorur dy tregues kryesorë: ndryshimet vjetore në përqindje, duke krahasuar një tremujor të vitit referues me vitin paraprak, si dhe ndryshimet tremujore në përqindje, duke krahasuar tremujorin referues me tremujorin e paraprak.