Çmimi i vezëve arrin deri në 6 euro, tregtarët fajësojnë kërkesën nga vendet fqinje

Çmimi i vezëve arrin deri në 6 euro, tregtarët fajësojnë kërkesën nga vendet fqinje

Ekonomia December 07, 2025 - 08:34

5.45 euro shënoi çmimi i një tablo me vezë në njërin nga marketet në Kosovë.

Ky produkt ushqimor, javëve të fundit pati një ngritje të lartë në çmim.

“Çmimet jon 300% të rritura. Vezët për shembull jon kon 2017, dy euro tash i ki gjashtë euro… Si nuk marrin masa këta tregtarët nuk din me u ndal. Tregtarët janë sjell më së keqi. Unë punëtor i KEDS-it rrogën e kem deri 800 euro, por nuk mundem me ja dal me to. Tanat janë hyp me çmime, me bukë, me qumësht, me djathë me krejt. Veç vezët kanë qenë lirë, tash 6 euro”, deklaroi qytetari Agim Bllaca.

Ankesë për mungesë të kontrollit të çmimeve, ka edhe një qytetar tjetër.

“U bo si një farë mode këtyre po ju duket për çdo ditë…. Të njëjti artikull me të njëjtin çmim. Unë nuk e di si duket si kontrollon kërkush. Kur donë vetë ata i rrisin çmimet… Na zakonisht konsumojmë për çdo ditë, do të thotë janë një artikull i domosdoshëm. Edhe kjo përnjëherë një çmim bajagi i lart, mirëpo kur s’kem çka bëjmë duhet me u përball me këto rritje”, deklaroi Mustafë Reshiti.

Mirëpo, kjo ngritje e çmimeve sipas Bekim Zhegrovës që ka një kohë të gjatë që punon si tregtar, ndërlidhet me kërkesën e madhe nga shtetet fqinje.

“Interesim po ka. Çmimi është ngritur. Sa ma shtrenjtë aq më mirë edhe po shitet….Ka ndiku se jon t’u marr Shqipëria, Maqedonia, Serbia. Qe Serbia, Maqedonia veç jon tu e përgatitë qetyne. Edhe Shqipëria po merr çdo ditë. Tani edhe çmimi është ngrit”.

Se ndikim në rritjen e çmimeve po ka tregu global e thotë edhe kryetari i Shoqatës Konsumatorit, Selatin Kaçaniku.

“Ndikimi më i madh është ndikimi i tregut global edhe ne si shtet i ri, i vogël, i pafuqishëm, kemi pak mundësi ose hiq mundësi për të ndikuar. Në anën tjetër ne nuk kemi as monedhën tonë që në përmes balancimit të vlerës së parasë të ndikojmë në standardin jetësor ose mirëqenien sociale të qytetarit konsumator. Në nuk e kem as ekonomin stabile, vetë gjeneruese që ta ndihmoj vetveten”, deklaroi Kaçaniku për Teve1.

Me këto rritje të çmimeve, Kaçaniku thotë se shtresa me mundësi të vogla veçse ka falimentuar, e në rrezik tani është edhe shtresa e mesme.

Partitë politike, sipas tij duhet të fokusohen në krijimin e një plani për mbrojtjen e konsumatorit.