Arrestohet në Prishtinë një i dyshuar për fajde

Arrestohet në Prishtinë një i dyshuar për fajde

Kronika shkurt 12, 2019 - 16:21
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, me datën 12.02.2019, pas hetimeve disamujore, bazuar në Nenin 343 të KPRK-së ‘fajde’, ka intervistuar të dyshuarin A. E. dhe pas intervistimit me vendim mbi ndalimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i është caktuar ndalimi prej 48 orëve.

“Pas raportimit të rastit me datën 27.11.2018 në stacionin policor, rasti është vazhduar të hetohet nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë, me ç’rast është kuptuar se i dyshuari ia ka dhënë rreth 20,000.00€ (njëzet mijë euro) viktimës në cilësi të fajdesë. Viktima të dyshuarit është detyruar t’ia kthejë rreth 40,000.00€, duke përfshirë edhe një veturë dhe një shtëpi, për të cilën viktimës ia ka llogaritur një pjesë të borxhit në emër të fajdesë”, bën me dije Policia e Kosovës.

Për rastin në fjalë, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë ka marrë veprime ligjore konform urdhëresave të lëshuara nga gjykata kompetente, kundër të dyshuarit të rastit në fjalë, ku fillimisht i është bastisur shtëpia e banimit, me ç’rast gjatë bastisjes kanë hasur dokumentacion që ndërlidhet me rastin.

Dokumentacioni është sekuestruar përkohësisht, duke përfshirë edhe një laptop (kompjuter) dhe telefoni personal i të dyshuarit, të cilat do të dërgohen për ekzaminim në Forenzikë.